Zgjedhjet lokale shpallen në maj
Prishtinë, 22 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kah mesi i muajit maj do ta shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunave.
Lajmin e ka konfirmuar të dielën për Epokën e re një burim i gazetës brenda presidencës në kushte anonimiteti.
Në konsultimet përfundimtare që do të zhvillohen së shpejti mund të përafrohen qëndrimet e partive politike dhe të shpallet data e zgjedhjeve.
Prandaj kur të kryhen të gjitha konsultimet me partitë politike parlamentare dhe subjektet e tjera politike, duke iu përmbajtur afateve të përcaktuara ligjore, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do ta shpallë datën e zgjedhjeve për kryetar të komunave. Presidentja pritet ta bëjë publike datën e zgjedhjeve në mes të muajit maj, ka thënë ky burim.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, para një muaji ka filluar konsultimet me përfaqësuesit e subjekteve politike për mbajtjen zgjedhjeve lokale. Fillimisht, presidentja Atifete Jahjaga është takuar me liderët e partive politike parlamentare, më pas edhe me përfaqësuesit e partive joparlamentare.
Për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Republikën e Kosovës, përfaqësuesit e partive politike të kontaktuar më herët nga gazeta kanë shprehur preferenca të ndryshme. Periudha më optimale për mbajtjen e zgjedhjeve lokale për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) do të ishte java e dytë e muajit tetor.
Ndërsa për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), muaji shtator, përkatësisht datat 15, 22 dhe 29 shtator, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) preferon që zgjedhjet për kryetarë të komunave të mbahen në muajin shtator, eventualisht në fillim të muajit tetor.
Sipas ligjit, zgjedhjet për kryetarë të komunave nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit.
Kurse vendimi për ta caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj.
Afati për mbajtjen e zgjedhjeve parashihet të jetë nga 15 shtatori deri me 15 dhjetor.