Zgjedhjet lokale përnjëherë në jug e veri të vendit
Prishtinë, 14 maj - Presidentja Atifete Jahjaga do ti shpallë zgjedhjet lokale për të gjitha komunat, përfshirë edhe ato veriore, kurse datën e mbajtjes së tyre do të kumtojë para 15 gushtit. Kështu ka deklaruar për Tribunën zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu.
Sipas tij, Jahjaga është në fazën e konsultimeve me partitë politike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në nivel të komunave.
Kur të harmonizohen qëndrimet e partive për datën e përafërt dhe kur të konsiderohet se janë krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës, caktimi i datës nuk është imponim por zgjidhje konsensuale, ka thënë Vllahiu.
Presidentja, ka vijuar ai, e ka afatin ligjor që deri më datën 15 gusht ta dekretojë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve komunale që gjithsesi duhet të jetë ditë e diel.
Shoqëria civile kërkon që data e zgjedhjeve komunale të caktohet nga pjesa e dytë e shtatorit, përkatësisht fillimi i muajit tetor.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka tërhequr vërejtjen se në periudhën e dimrit, kur dita zgjat më pak, mundësitë për parregullsi janë më të mëdha, ngase errësohet më herët.