Zgjedhjet lokale në fund të shtatorit
Prishtinë, 26 prill - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dy data para vetes për zgjedhjet lokale, 22 dhe 29 shtatorin.
Vendimin për këtë, ajo pritet ta marrë gjysmën e muajit maj. Partitë politike tashmë janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen në vjeshtën e hershme të këtij viti.
Vetëm edhe pesë muaj u kanë mbetur kryetarëve aktualë të komunave të përfundojnë mandatin e tyre katërvjeçar, të fituar në zgjedhjet lokale, të vjeshtës së vitit 2009, shkruan Express.
Katër vite më vonë, përkatësisht në fund të shtatorit të këtij viti, pritet të organizohen zgjedhjet lokale, meqë një kërkesë të tillë e kanë bërë shumica e partive politike te Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Sidoqoftë, presidentja do të vendos në për datën e zgjedhjeve lokale më së largu deri në mesin e muajit maj, kohë kjo kur do ti përfundoj konsultimet me partitë politike.
Zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu ka deklaruar se Shefja e Shtetit do të vendos për datën e zgjedhjeve duke u bazuar në propozimet e partive politike.
Kah gjysma e muajit të ardhshëm, Presidentja do të mund të marrë vendimin, bazuar në afatet ligjore, për shpalljen e zgjedhjeve lokale, në pajtim me qëndrimet e partive dhe subjekteve politike, ka treguar Vllahiu, për Express.
Konsultimet përfundimtare të Presidentes me partitë politike parlamentare dhe subjektet e tjera politike, do të zhvillohen brenda javëve të para të muajit maj, ka shtuar ai.
Por, cila është koha kur do të mbahen zgjedhjet lokale?
Zëdhënësi i Presidentes nuk jep përgjigje të prerë, por thotë se partitë kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të caktohet në vjeshtën e hershme të këtij viti.
Përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe subjekteve të tjera politike, kanë shfaqur qëndrimet e tyre që zgjedhjet lokale të mbahen në vjeshtën e hershme të këtij viti, duke vlerësuar edhe aspektet teknike dhe kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve. Ju e dini se periudha e mbajtjes së zgjedhjeve, sipas afatit ligjor, është mes 15 shtatorit dhe 15 dhjetorit, ka deklaruar Vllahiu.
Ndërkohë, zyrtarët e PDK-së pas takimit të parë me Presidenten kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen në muajit tetor, kurse LDK, Vetëvendosje dhe AAK kanë kërkuar që votimet për Kryetarë të komunave të mbahen më së largu në fund të muajit shtator.