Zgjedhjet e parakohshme, të pashmangshme
Prishtinë, 9 nëntor - Profesori universitar Riza Smaka ka thënë se pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme. Sipas tij, vetëm shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare mund ta kthejë Kuvendin në normalitet.
E përfaqësuesi i KDI-së, Driton Selmanaj, ka thënë se për ta tejkaluar këtë gjendje të krijuar në Kuvend tash e disa muaj, ose duhet të riformatohet Qeveria, ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Profesori Riza Smaka ka thënë se për Kosovën zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme për shkak të rrethanave të krijuara në Kuvend. Kuvendi nuk është duke funksionuar. E kur nuk funksionin Kuvendi, politikisht nuk ka zgjidhje tjetër vetëm të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar Smaka për Epokën e re.
Në këtë kontekst, Smaka ka thënë se nuk do të ishte mirë që Kosova të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare pa përfundimin e reformës zgjedhore.
Kjo gjendje mund ta shpërbëjë Kuvendin dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Shpërbërjen e Kuvendit mund ta bëjë kryeministri ose deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nuk kisha pasur dëshirë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme para se të bëhej reforma zgjedhore. Ka shumë çështje të hapura dhe ato do të duhej të rregulloheshin, është shprehur Smaka.
Duke iu referuar rrethanave aktuale në Kuvend, Smaka ka thënë se ka drojën se Kosova mund të shkojë në zgjedhje pa përfundimin e reformës elektorale.
Frikësohem se mund të shkohet në zgjedhje parlamentare pa përfunduar reforma zgjedhore. Nuk jam duke parë zgjidhje për kthimin e normalitetit në Kuvend. Bllokada në Kuvend është e dukshme. Janë disa tema të nxehta në Kuvend, që nuk ka gjasa të përafrohen qëndrimet në mes të pozitës dhe opozitës. Pozita nuk ka vota të mjaftueshme për ti tejkaluar propozimet e saj. Dhe nëse nuk ka vota të mjaftueshme, atëherë Qeveria moralisht do të duhej të jepte dorëheqje, është shprehur Smaka, duke shtuar se pozita dhe opozita janë duke e shfrytëzuar Kuvendin për propagandë politike.
Mjerisht, Kuvendi është duke u shfrytëzuar për propagandë politike partiake. Kjo nuk është korrekte. Deputetët e pozitës apo opozitës nuk do të duhej të merreshin me politikë ditore në Kuvend, por do të duhej të merreshin me çështje madhore, të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës. Shumë herë veprimet e deputetëve kanë qenë qesharake, banale dhe irrituese. Kuvendi gjatë mandatit të fundit është shndërruar në arenë propagandistike, ka thënë Smaka.
Selmanaj: Të riformatohet Qeveria ose të shkohet në zgjedhje
Ndërkaq Driton Selmanaj, përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për Epokën e re se tejkalimi i krizës parlamentare mund të bëhet në dy mënyra.
Kuvendi i Kosovës që disa muaj është në krizë. Për shkak të kësaj krize dhe këtij ngërçi politik, Kuvendi nuk është duke arritur ti realizojë agjendat e veta. Pas seancës së fundit mendoj se është e domosdoshme ose të riformatohet Qeveria, sepse nuk i ka më numrat në Kuvend, ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa reformë elektorale është e papranueshme sepse konsideroj se kjo reformë duhet të përmbyllet suksesshëm, është shprehur Selmanaj.
Edhe Selmanaj ka thënë se pa përfundimin e reformës zgjedhore do të ishte mëkat të shkohet në zgjedhje parlamentare.
Liderët e partive politike duhet ta marrin parasysh përfundimin e reformës zgjedhore. Dhe pas përfundimit të kësaj reforme mund të merren vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje mund të jenë një zgjidhje e zhbllokimit të punës së Kuvendit, por jo pa përfunduar reforma zgjedhore, ka deklaruar Selmanaj.
Sipas Selmanajt, e gjithë puna e Kuvendit të Kosovës tani e tutje do të varet nga vullneti i liderëve të partive parlamentare.
Është e nevojshme që liderët e partive politike të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje për tia kthyer funksionalitetin Kuvendit. Çdo marrëveshje duhet të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Mendoj se lideri i PDK-së do të duhej ti lëvizte gjërat, sepse Qeveria ka sjellë në Kuvend një vendim kontradiktor në Kuvend, siç është ai për PTK-në. Ky barrikadim që është duke ndodhur në Kuvend, për shkak të pozicioneve të ngurta në mes të pozitës dhe opozitës, do ta mbajë edhe më tutje Kuvendin në krizë, ka thënë Selmanaj, duke kërkuar nga PDK-ja të iniciojë një debat jashtë Kuvendit për të gjetur një zgjidhje të interesit shtetëror.
PDK-ja do të duhej ta inicionte një debat jashtëparlamentar në mënyrë që të reflektohet për zhbllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës, ka thënë Selmanaj. Ka disa muaj që Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar normalisht. Shkak i mosfunksionimit të Kuvendit është bërë çështja e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).