Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, në pranverë
Prishtinë, 21 shtator - Zyrtarë të lartë në PDK dhe diplomatë të jashtëm që veprojnë në Kosovë kanë nisur të favorizojnë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme kundrejt ristrukturimit të koalicionit qeverisës.
Burime brenda partisë më të madhe në Kosovë kanë bërë të ditur se ditëve të fundit është duke u shqyrtuar seriozisht mundësia që zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe ato të përgjithshme të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ekziston mundësia që në të njëjtën kohë të mbahen edhe zgjedhjet lokale, të cilat edhe ashtu parashikohet të organizohen në vjeshtën e vitit 2013.
Një skenar i tillë, sipas një zyrtari të lartë në PDK, parashikohet të realizohet duke e detyruar Behgjet Pacollin që të japë dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit.
Dhe nëse ai refuzon, ashtu siç ka paralajmëruar të enjten nëpërmjet rrjetit social, atëherë, nuk përjashtohet mundësia e shkarkimit të tij.
Me largimin e Pacollit do të tërhiqej AKR-ja nga koalicioni dhe qeveria duke mbetur në pakicë, do t`i nënshtrohej mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës.
Në këto rrethana do të përfundonte shumë shpejt edhe mandati i presidentes Atifete Jahjaga, post të cilin e ka marrë me marrëveshje politike.