Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizajt mbahen më 29 prill
Prishtinë, 29 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka marrë sot vendim që zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Ferizajt të mbahen më 29 prill 2012, ditë e diel.
Vendimi u mor, duke u bazuar në nenin 56, paragrafi 3 pika (c) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, dhe në nenin 4 paragrafi 4 dhe nenin 11 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh njoftimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal numër protokolli 036-354/1, si dhe pas konsultimit me partitë politike dhe Komisionin Qendror Zgjedhor.
Me vendim, udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ti ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Ferizajt, në përputhje me këtë vendim dhe ligjin në fuqi.