Zgjedhjet e brendshme: Bashkohemi në Lëvizje
Prishtinë, 27 prill - Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri ka bërë publike shpalljen e zgjedheve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka shpallur 2 majin si datë kur fillojnë zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes.
Ymeri tregoi se zgjedhjet e brendshme do të zhvilohen nëpër pikat dhe qendrat e Lëvizjes brenda dhe jashtë vendit.
Përkrahja për Lëvizjen është duke u rritur vazhdimisht, dhe kjo është përgjigje kolektive ndaj stërkeqjes së qeverisë, është përgjigjia kundërshtuese ndaj regjimit autoritar të Thaçit, Veselit e Mustafës, tha Ymeri gjatë kësaj konference.
Sa më autokratik regjimi, e sa më antirepublikë vendimet e tij, as më e domosdoshme është Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe aktivizmi politik në të. E sa më i mad angazhimi, aq më e shtrirë dhe më e fuqishme është Lëvizja. E sa më e fuqishme Lëvizja, aq më jetëshkurtër regjimi.
Unë, dhe e tërë Lëvizja VETËVENDOSJE! jemi jashtëzakonisht të interesuar që të gjitha simpatizantet e përkrahësit të marrin pjesë activist në Levizje dhe në procesin e brendshëm zgjedhor, përmes angazhimit e anëtarësimit në Lëvizje, tha më tej Ymeri.
Kryetari Ymeri i ftoi punëtorët, bujqit, studentët, mjekët, të papunët, të gjithë të pakënaqurit me këtë degradim të shtetit, gratë dhe burrat e këtij vendi, që të bashkohemi në Lëvizje.
Ndërkaq, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm Zgjedhor, Nol Nushi tregoi se zgjedhjet do të përmbyllen brenda një periudhe 3 mujore. Ne jemi i vetmi subjekt politik në Kosovë që aplikon parimin \"një anëtar, një votë\", duke e kthyer demokracinë tonë të brendshme në një vlerë me të cilën do ta veshim qeverisjen tonë të ardhshme të Kosovës. Secili anëtar i Lëvizjes ka të drejtën e votës, si dhe të drejtën e kandidimit për tu bërë Kryetar i një Pike, delegat, kryetar i një Qendre, e kështu me radhë, tha Nushi.
Faza e parë e këtyre zgjedhjeve do të zhvillohet nëpër lagjet e qytetit dhe fshatrat anembanë Kosovës. Në këtë fazë synimi do të jetë strukturimi konsolidues i Pikave ekzistuese të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe zgjerimi nëpër lagje dhe fshatra ku ka munguar më herët organizimi bazë i Lëvizjes.
Faza e dytë do të jetë zgjedhja e Kryetarëve të Qendrave të Lëvizjes në Komunat e Kosovës. Kryetari apo Kryetarja e një Qendre do të jetë rezultat i shumicës së votave të anëtarëve në një komunë.
Faza e tretë, do të jetë ngritja e Këshilleve dhe Kryesive të Qendrave të cilat do të votojnë më pas edhe delegatët e Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lart vendimmarrës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Zgjedhjet e brendshme do të mbahen edhe në Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër, Gjermani, etj., duke patur parasysh rolin jetik që luan mërgata në të gjitha zhvillimet në Kosovë, dhe për ti mobilizuar bashkatdhetarët tanë edhe më shumë drejt ndryshimit të shumëpritur për vendin tonë.