Zgjedhjet e 3 nëntorit, vendimtare për integrimin e serbëve të veriut
Prishtinë, 14 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jean- Claude Schlumberger.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadorin Schlumberger për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë, në të gjitha aspektet.
Hoxhaj e falënderoi shefin OSBE-së për përkrahjen që ka dhënë dhe po vazhdon të jap ky mision për Kosovën.
Shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Jean- Claude Schlumberger vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të OSBE-së.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Schlumberger kanë biseduar edhe për procesin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, dhe rëndësinë e tyre për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Hoxhaj theksoi se roli i OSBE-së në këtë proces është shumë i rëndësishëm dhe se ky proces përbën një hap vendimtar në avancimin e gjithëmbarshëm të progresit në Kosovë.
Dy muajt e ardhshëm janë një periudhë kyçe për integrimin e komunitetit serb në veri të vendit në jetën shoqëror edhe institucionale në Kosovë si dhe në krijimin e një kulture të përbashkët shtetërore dhe politike, tha ai.
Ministri Hoxhaj po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, më 19 prill.
Kjo marrëveshje paraqet një bazë të mirëfilltë për normalizimin e gjendjes dhe integrimin e plotë të komunitet serb në veri të Kosovës, si dhe për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, theksoi ministri Hoxhaj.
Ambasadori Jean- Claude Schlumberger shprehu angazhimin e OSBE-së për të ndihmuar në organizmin sa më të suksesshëm të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në veri të Kosovës.