Zgjedhje të jashtëzakonshme me sfida të zakonshm
Prishtinë, 16 shtator - Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka organizuar tryezën me titiull Zgjedhje të jashtëzakonshme me sfida të zakonshme ku me çrast është publikuar Raporti përfundimtar i vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin: Ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu, Christopher Edwards, u.d - Drejtor i USAID-it në Kosovë, Valdete Daka kryetare e KQZ-së, pëfaqësues të subjekteve politike, mediave dhe organizatave të shoqë shoqërisë civile.
Jetmir Bakija përfaqësues i DnV-së, duke prezantuar të gjeturat e raportit përmendi disa nga problemet që po vazhdojnë ti shoqërojnë proceset elektorale në Kosovë. Numri i madh i votave të pavlefshme, listat e votuesve, edukimi i votuesve, votime me asistencë, votimet familjare, përdorimi i resureseve publike dhe shërbyesve civilë për aktivitete partiake, janë disa nga parregullsitë që kërkojnë adresim dhe reflektim nga ana e institucioneve kompetente.
Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jan Braathu, në fjalën e tij hyrëse e vlerësoj procesin e fundit zgjedhor si një proces i mirë organizuar përkundër kohës së shkurtër që ishte në dispozicion.
Kosova është duke bërë progres. Zgjedhjet e 8 qershorit treguan që është bërë progres i vazhdueshëm, kështu që duhet vazhduar me përmirësimin e procesit. Ky është vendi juaj dhe është përgjegjësi e juaj për ta bërë këtë, tha në këtë tryezë ambasadori Braathu.
Gjithashtu edhe u.d - Drejtor i USAID-it në Kosovë z. Christopher Edwards, e vlerësoj me nota pozitive procesin e fundit zgjedhor. Z. Edwards tha se një nga prioritetet më të rëndësishme për Qeverinë e SHBA në Kosovë vazhdon të jetë mbështetja për zgjedhje të lira dhe transparente në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kosova ka bërë shumë përparim në vitet e fundit, edhe pse mbetet ende shumë punë për t\'u bërë, shtoi më tej z. Edwards. Ai më pas vlerësoi edhe rolin e Demokracisë në Veprim në monitorimin e proceseve zgjedhore në Kosovë.
Nga ana tjetër kryetarja e KQZ-së Valdete Daka vlerësoi se gjetjet e Raportit të DnV-së janë të sakta dhe objektive, por ajo kërkoj mirëkuptimin për disa nga parregullsitë që e shoqëruan procesin e fundit elektoral, duke dhënë arsyetimin se ato kanë ardhur për shkak të kohës së shkurtër që KQZ ka pasur në dispozicion për organizimin e zgjedhjeve. Të gjitha afatet e rregullta ligjore, kemi qenë të detyruar që ti shkurtojmë, tha më tej zj. Daka.
Shumica e të pranishmëve shtruan nevojën për të vazhduar reformë të mirëfillitë të legjislacionit zgjedhor, në mënyrë që të adresohen këto të gjetura dhe mangësi dhe të përmirësohet i gjithë procesi.
Ky është raporti i dytë i publikuar në kuadër të raporteve të DnV-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014. Raporti që pritet të publikohet në vijim do të trajtojë përfshirjen e personave më aftësi të kufizuar në procesin zgjedhor.