Zgjedhja e Thaçit president motiv për ta larguar Qeverinë Mustafa
Prishtinë, 29 shkurt - Zgjedhja e Hashim Thaçit, president i Kosovës nuk e ka zmbrapsur opozitën e bashkuar.
Ajo deklaron se kjo padrejtësi është motiv shtesë për ta dërguar një orë e më parë Qeverinë Mustafa në shtëpi. Edhe analistët thonë se opozita ka shkuar aq larg sa që ska kthim mbrapa.
Opozita e bashkuar ka humbur një betejë në momentin kur Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur për president të ri të vendit, Hashim Thaçin, mirëpo kjo nuk nënkupton edhe humbjen e luftës, shkruan Zëri.
Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e opozitës, të cilët thonë se nuk e kanë ndërmend ta ngrenë lart flamurin e bardhë, deri në rrëzimin e Qeverisë Mustafa, për të cilën paralajmëruan edhe vazhdimin e protestave.
Por, derisa opozita nuk e bën të ditur datën e protestave, presidenti i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritet të marrë mandatin më 7 prill, ka premtuar edhe dje se do të jetë president i të gjithëve pa dallime partiake. Madje ai ka thënë se do të jetë president edhe i opozitës.
Ndërkohë edhe analistët kosovarë nuk parashohin ndonjë ndalje të opozitës. Madje thonë se çdo lloj ndalese e tyre do të ishte humbje për ta.
Ndërkohë që shtojnë se në zgjedhjet e parakohshme, që, sipas tyre, do të mbahen brenda 12 muajve, LDK-ja do të ndëshkohet nga elektorati i saj dhe do të jetë një shans i ri për opozitën.
/Zëri/