Zëvendësministri Ibishi ka vizituar zonat e goditura nga erërat e forta
Prishtinë, 10 janar - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, i shoqëruar nga drejtori i Policisë Rajonale në Pejë, Ahmet Hasi dhe drejtori i Emergjencave për rajonin e Pejës, Florim Qelaj, kanë vizituar zonat e goditura nga erërat e forta, të cilat të premten e përfshinë komunën e Istogut.
Gjatë kësaj vizite në komunën e Istogut, zëvendësministri Ismet Ibishi ka parë nga afër pasojat e erërave të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale për banorët e kësaj komune.
Me këtë rast, zëvendësministri i MPB-së, Ismet Ibishi, ka takuar kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova, me të cilin ka biseduar rreth gjendjes aktuale të krijuar në këtë rajon.
Rasti i Istogut, gjithsesi se duhet të na shërbejë si mësim për herët tjera, nga se kërkohet bashkëpunim më i mirë i tërë këtij zinxhiri dhe MPB do të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë, tha zëvendësministri Ismet Ibishi.
Kryetari Rugova ka falënderuar zëvendësministrin Ibishi për vizitën dhe për kontributin e Policisë së Kosovës, me rastin e fatkeqësisë natyrore.
Gjithashtu, zëvendësministri Ibishi ka vizituar stacionin policor në Istog i cili ka pësuar dëme të mëdha materiale.