Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri udhëtoi për Bruksel
Prishtinë, 1 shtator - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës,Edita Tahiri udhëtoi për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e gjashtë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që do të mbahet të premten më 2 shtator 2011.
Në agjendë, kësaj radhe do të jenë pesë çështje: Njohja e vulave të doganave të Kosovës, Telekomunikacioni, Energjia, Kadastrat dhe Bashkëpunimin rajonal.
Gjithashtu, në këtë raund të dialogut teknik do të analizohet dhe do të intesifikohet puna e grupeve për implementimin e tri marrëveshjeve të arritura më parë.
Kjo agjendë ishte paraparë për takimin e 20 dhe 21 korrikut 2011, raund ky i cili dështoi me fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të doganave të Kosovës.
Për katër çështjet e para, bisedimet janë në nivelin e diskutimit të draft-marrëveshjeve, të prezantuara nga ndërmjetësi i BE-së, të cilat kanë për bazë draftet e 6 qershorit 2011 dhe komentet e palëve. Ndërsa çështja e bashkëpunimit rajonal shtrohet për herë të parë, përveç temës së CEFTA-s, e cila është diskutuar në raundin e parë.
Në Delegacionin të Qeverisë së Republikës së Kosovës të prirë Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri janë edhe Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Elona Cecelia - këshilltare politike e Zëvendëskryeministres Tahiri, Florent Bakija - përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ali Hamiti - kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Fadil Ismajli - drejtor i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, Arben Gjukaj - drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, Ekrem Hoxha - drejtor i bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Naim Huruglica - drejtor i Doganave të Kosovës dhe Murat Meha - kryeshef i Agjencisë Kadastrale.