Zëvendëskryeministri Thaçi sot fillon vizitën zyrtare në Maqedoni
Prishtinë, 22 janar - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot fillon një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Gjatë qëndrimit në Shkup, zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve të Maqedonisë, me përfaqësuesit shqiptarë dhe të shoqërisë civile.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin Nikola Gruevski dhe ministrin e Jashtëm, Nikola Poposki.
Në këto takime do të bisedohet për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, rajonal si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.
Zëvendëskryeministri Thaçi, pasdite do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, për të vazhduar më pas vizitën në Tetovë, ku në takime të ndara do të pritet nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave tregtare si dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave.
Po ashtu do të bisedohet për projektet rajonale infrastrukturore, ku për Republikën e Kosovës interes i veçantë është përshpejtimi i hapave të ndërtimit të hekurudhës së korridorit të tetë Kërçovë Strugë - Qafë Thanë.
Vizita e tij në Maqedoni, vjen vetëm pak ditë, pasi zëvendëskryeministri Thaçi zhvillojë vizita zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi.