Zekë Zeka, kandidat i Vetëvendosje!-s për Kryetar të Artanës
Prishtinë, 26 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! na Artanë mbajti konferencë për media më çrast shpalli edhe fituesin e zgjedhjeve të brendshme për kandidat për Kryetar të Komunës së Artanës.
Mes të pranishmëve në këtë konferencë ishte edhe kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, njëherit edhe kandidati i Vetëvendosje!-s për Kryetar të Komunës së Gjilanit, z. Ismajl Kurteshi.
Ditën e shtunë, më 24 gusht, anëtarët e 5 pikave të Lëvizjes në Artanë kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë. Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi.
Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e shtunë. Pas pritjes 24 orëshe, pranë Komisionit Zgjedhorë ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Andaj, ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të shprehur në statutin dhe rregulloren për zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje!. Sot, shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidat për Kryetar të Komunës së Artanës, Zekë Zeka, i cili ka fituar 97.59 % të votave, tha Abdyl Gashi nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
Kandidati për Kryetar të Komunës, Zekë Zeka, tha se personalizimi i pushtetit dhe institucioneve publike, bashkë me korrupsionin dhe tenderomaninë, trajtimin jo të drejtë dhe jo të barabartë të banorëve të Artanës, tregon se këta pushtetarë nuk janë në shërbim të qytetarëve.
Dikur Artana ishte një industri e njohur në Ballkan, dhe një ndër qytetet më të vjetra, me një popullatë shumë të dendur, kurse tani në mungesë të kushteve ekonomike dhe infrastrukturës, kanë migruar në qytete të ndryshme të Kosovës. Punësimi në baza partiake dhe familjarizimi ka sjellë vetëm sasi, por jo edhe cilësi, ndërsa edhe ato pak investime infrastrukturore që i kanë bërë pushtetet e mëparshme, nuk janë funksionale tha Zeka.
Ai ndër të tjera foli edhe për decentralizimin, duke thënë se me këtë proces të dëmshëm Komunës së Artanës ju trefishua territori, dhe se në të ardhmen e afërt kjo komunë rrezikon ti bashkohet asociacionit të komunave serbe.
Kryetari i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, tha se Zekë Zeka qysh në moshën 21 vjeçare, ka filluar të merret më çështjen kombëtare, duke u kyçur fillimisht në LDK si sekretar organizativ.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zekë Zeka inkuadrohet në UÇK dhe bashkë me shokët tjerë merr pjesë në luftën çlirimtare. Ka qenë gjatë gjithë kohës aktiv nëpër të gjitha protestat dhe demonstratat kundër pushtetit serb të instaluar në Kosovë. Zekë Zeka u angazhua në Lëvizjen Vetëvendosje! dhe ishte një ndër më të zëshmit kundër procesit të decentralizimit mbi baza etnike, tha ndër të tjera Kurti.
Artana është ndëshkuar edhe në aspektin ekonomik me moszhvillim, por edhe në aspektin politik me decentralizimin mbi baza etnike, që ka pasur për synim zgjerimin e territorit për ta ndryshuar përbërjen demografike të popullsisë.
Pra, synimi i decentralizimit me baza etnike në Artanë ishte që serbët të bëhen shumicë këtu, dhe këtë Lëvizja Vetëvendosje! e ka kundërshtuar rregullisht prej fillimit, theksoi Kurti. Duke folur për komunën e Artanës, Kurti tha se territori i kësaj komunë ka qenë një trevë e populluar qysh në zhvillimet e hershme të njerëzimit.
Nëpër shumë dokumente thuhet se në shekullin XV, Artana kishte rreth 45,000 banorë. Bëhet qendër e rëndësishme në mesjetë, pikërisht atëherë kur edhe merr hov zhvillimi i xehetarisë.
Kulminacionin e zhvillimit ekonomik dhe politik e arrin me zhvillimin e minierës, e cila ishte shumë e pasur me minerale të arit, argjendit, plumbit dhe zinkut.
Me 1450, minierat e Artanës prodhonin 6,000 kg argjend për një vit, tha ai, duke shtuar se në kohën e socializmit, kjo minierë punësonte rreth 860 minatorë e punëtorë të tjerë, e pasi u dëmtua shumë gjatë aparteidit të regjimit të Millosheviçit e sidomos gjatë luftës, ka nisur prodhimin më vonë, por me numër shumë më të vogël të punëtorëve (vetëm 170 sosh, në mirëmbajtje dhe në prodhim me kapacitet të vogël).
Lidhur me Kalanë e Artanës, që daton qysh nga koha e Bizantit, Kurti tha se përveç pastrimit të mbeturinave përreth Kalasë, nuk ka ndonjë investim tjetër: Restaurimi i Kalasë dhe rregullimi i infrastrukturës përreth, mund ta bëjë Artanën një atraksion turistik veror dhe ti sjellë të hyra më të mëdha buxhetit të Komunës dhe bizneseve lokale.
Në fund, Kurti foli për Alternativën Qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila do të prezantohet sonte në ora 19:00 në sheshin Zahir Pajaziti, duke thënë se kjo alternativë kërkon punë dhe angazhim për të gjithë në dhe për secilin prej nesh.