Zbogar kërkon nga qeveria plan për veriun
Prishtinë, 7 maj - Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka deklaruar se po i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të përgatisë një plan për veriun e Kosovës, në mënyrë që serbet në atë pjesë të ndihen më mirë dhe të pranojnë realitetin e ri në Kosovë.
Këto komente, Zbogar i bëri në kuadër të javës së BE-së, ku vizitoi shkollën fillore Hasan Prishtina, dhe debatoi me nxënësit e kësaj shkolle për BE-në, por gjithashtu bëri prezantimin Të shkojmë në Evropë.
Që nga tetori, kur është lëshuar Raporti i Progresit, ne jemi duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për të përgatitur një plan dhe agjendë për pjesën veriore. Mendoj se pasi të ulet tensioni lidhur me këto zgjedhje, ne mund të përqendrohemi në atë se si të merremi me pjesën veriore, kryesisht Qeveria e Kosovës për të arritur një ide që njerëzit të cilët jetojnë të ndihen mirë , ka thënë Zbogar, njofton KosovaPress.
Sipas tij, së bashku me Qeverinë e Kosovë në të ardhmen do të koncentrohen që tu ofrohet serbëve në veri një jetë më e mirë, në mënyrë që ata të pranojnë realitetin në Kosovë.
Zbogar lavdëroi OSBE-në për lehtësimin e zgjedhjeve serbe. Ai lavdëroi edhe Qeverinë e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe qytetaret që kanë shfaqur përmbajtje dhe qetësi ndaj lehtësimit te këtyre zgjedhjeve.
Tani vazhdojmë përpara, këto janë zgjedhje serbe dhe rezultatet e tyre do të ndikojnë në qeverinë dhe presidentin e ri në Serbi, por Kosova ka çështje dhe gjëra tjera për të menduar të cilat kanë prioritet për momentin, ka thënë Zbogar.