Zbogar ia dorëzoi Studimin e Fizibilitetit Presidentes Jahjaga
Prishtinë, 10 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë zotëri Samuel Zbogar, i cili ia dorëzoi Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Zbogar vlerësuan se kjo është një ditë e mirë për Kosovën e cila ka një perspektivë të qartë evropiane si të gjitha vendet e tjera në rajon.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Zbogar thanë se integrimi në BE nënkupton stabilitet dhe siguri në rajon dhe nënvizuan faktin se thellimi i reformave në fusha të ndryshme është ndihmesë për anëtarësim në strukturat evropiane.
"Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit paraqet hapin e parë të madh të vendit në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, proces ky që është në një vijë me politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor", ka thënë Jahjaga.
Presidentja Jahjaga konsideron se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të ketë ndikim të rëndësishëm në proceset demokratike dhe nxitjes së reformave të brendshme, si dhe në avancimin e zhvillimit ekonomik të vendit duke ofruar gjithashtu stabilitet për investitorët e jashtëm.
Presidentja Jahjaga shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Presidentja e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen Komisionit Evropian dhe të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të rrugës evropiane të Kosovës dhe të rajonit.