Zbogar: Duam liderë legjitim në Kosovë
Prishtinë, 1 nëntor - Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka bërë thirrje që askush të mos provojë të ndryshojë ose të ndalë votën e qytetarëve.
Pak ditë para 3 nëntorit shefi i BE-së në Kosovë në një bisedë për gazetën \"Tribuna\" ka treguar recetën e zgjedhjeve të suksesshme.
Kosova pretendon që këtë të dielë të ketë zgjedhje sipas recetës së Zbogarit, por mungesë e një ndryshimi të sistemit të komplikuar zgjedhor, mosndryshimi i kulturës së partive politike dhe trashëgimia e rëndë e zgjedhjeve të kaluara mund ta shuajnë këtë qëllim.
Nëse skenari i manipulimit përsëritet, Zbogar ka thënë se atëherë Kosova nuk do të bëjë hapin elementarë drejt së ardhmes evropiane.
Mbajtja e zgjedhjeve sipas përkushtimeve të OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare si dhe përfundimi i reformës zgjedhore, janë veprime esenciale që do të ndihmojnë Kosovën drejt së ardhmes evropiane, ka thënë Zbogar.
Ai ka kujtuar se ditë më parë BE-ja ka hapur me Kosovën dialogun për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe zgjedhjet janë procesi që do të definojë rrugën drejt unionit të shteteve perëndimore e demokratike.