16 Janar 2025

Zbatimi i marrëveshjes, sfidë për Kosovën

Prishtinë, 21 prill - Implementimi i marrëveshjes së arritur së fundi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, do të jetë njëri nga problemet kryesore, me të cilin do të ballafaqohet Prishtina zyrtare.

Kjo për faktin se autoritetet serbe deri më tash disa herë i kanë shkelur marrëveshjet e arritura me drejtues të institucioneve të Kosovës, duke i injoruar ato pothuajse tërësisht.

Kështu vlerësojnë pjesëtarët e shoqërisë civile të cilët theksojnë se përveç pikave të dëmshme për Kosovën, që përmban marrëveshja, ajo do t’i sfidojë drejtuesit e Qeverisë së Kosovës gjatë jetësimit “në terren”.

Të premten, pas dhjetë rundeve të takimeve, Thaçi e Daçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për “normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, e cila përmban pesëmbëdhjetë pika, shumica e të cilave, nga shoqëria civile shihen si të rrezikshme dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës, shkruan zëri.

Shpend Kursani nga Instituti KIPRED, thotë se Serbia ka treguar shumë herë më parë se nuk i respekton marrëveshjet me Kosovën, ose i impelemton pjesërisht, prandaj, ajo do ta përdorë këtë “taktikë” edhe në raport me marrëveshjen e fundit.

“Duke u bazuar në atë që ka ndodhur më herët me zbatimin e marrëveshjeve kur shumë pak prej tyre janë zbatuar, edhe ato që janë zbatuar janë vetëm ato pika që i kanë konvenuar Serbisë, edhe në këtë rast me marrëveshjen që është arritur për veriun e Kosovës, do të zbatohen ato pika të marrëveshjes që i konvenojnë Serbisë”, thotë ai.

“Serbia e ka luksin që të mos zbatojë për faktin se marrëveshja nuk e ka klauzolën e cila e thekson se nëse palët nuk merren vesh, apo nuk e zbatojnë marrëveshjen, cila gjykatë do ta zgjidhte problemin. Këto marrëveshje i kanë vetëm disa pika, dhe nuk ka asnjë gjykatë ndërkombëtare të cilës mund t’i referohemi nëse Serbia nuk e respekton, sepse, edhe vetë marrëveshja nuk është marrëveshje ndërkombëtare, por është vetëm një dokument i një marrëveshje mes palëve në parim”, thekson ai.

Rreth mundësisë që Serbia të mos respektojë fare marrëveshjen ka folur edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti. “Aty (në fund të marrëveshjes) shkruan I. D. (inicialet Ivica Daçiq). Unë pajtohem se ky është teksti final, mbi të cilin do të vendosë Republika e Serbisë më vonë. Pra, nuk ka qenë nënshkrim i tekstit, por vetëm pajtimi se ky është teksti e pastaj vendosim se çka do të ndodhë”, ka thënë Ahmeti gjatë një konference për gazetarë.

Por, ndryshe nga kjo, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, as që e vë në dyshim implementimin e marrëveshjes. Gjatë një konferencë të mbajtur të shtunën me gazetarë pas kthimit nga Brukseli, Thaçi ka thënë se së shpejti marrëveshja do të zbatohet në terren.

“Tani ne duhet të përqendrohemi në implementimin e marrëveshjes. Kemi marrë edhe dje garancitë nga NATO, që edhe ata do të jenë partner në implementimin e plotë të marrëveshjes. Kjo është marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Deri në fund të qershorit planifikohen që të ndodhin takimet për arritjen e marrëveshjeve për telekomunikacioin, energjinë edhe çështjen e personave të zhdukur.

Se në çfarë niveli këto çështje do të trajtohen ende nuk është vendosur, por këshilli për implemtimin do të jetë i përfaqësimit të lartë politik, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë shefi i qeverisë.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)