Ymeri takohet me përfaqësuesen speciale të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova
Prishtinë, 13 shtator - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka pritur të martën në takim përfaqësuesen speciale të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolovan, e cila e ka marrë mandatin në këtë muaj.
Ymeri në Facebook, ka shkruar se e ka njoftuar Apostolovan për qëndrimet e Vetëvendosje!-s karshi rrugës integruese të Kosovës. E njoftova znj. Apostolova me situatën politike që po mbretëron në vendin tonë si dhe me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje! që lidhen me rrugën e Republikës së Kosovës drejt BE-së, dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të kursit politik e qeverisjes në Kosovë, për ta vendosur atë në rrugë drejt sovranizimit dhe zhvillimit ekonomik, e drejt rritjes së mirëqenies e barazisë shoqërore për popullin e Kosovës, ka shkruar Ymeri.