21 Janar 2025

Ymeri: Nuk heqim dorë nga parimet

Prishtinë , 12 korrik -  Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka thënë se kjo lëvizje nuk është duke i shkelur parimet e veta për shkak të përkrahjes në parim të koalicionit LDK-AAK-NISMA.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Ymeri, i cili është përfaqësuesi i grupit të punës nga Vetëvendosje! për harmonizimin e qëndrimeve me LDK-në, AAK-në dhe NISMA-n për Kosovën, ka thënë se kjo lëvizje nuk do të pranojë të ketë dialog pa parime me Serbinë.

“Parimet tona, që kërkojnë të mos ketë dialog pa parime me Serbinë dhe të mos vazhdojë privatizimi abuziv i aseteve kombëtare profitabile siç janë PTK, Trepça e KEK-u, janë kritere që ne i kemi paraqitur në takimet tona me bllokun opozitar, të cilat assesi nuk duhet t’i bëjë një qeveri e re."

"Prandaj mendoj se, jo që s’po i shkelim parimet tona, por po i bëjmë ato themele të një qeverisjeje të re, e cila me këto parime sigurohet të jetë edhe qeveri e drejtë”, është shprehur Ymeri.

Sipas Ymerit, parimet e Vetëvendosje!-s janë mirëpritur nga të gjithë por, sipas tij, tani ka ardhur koha që këto parime të qiten në letër-marrëveshje.

“Si të tilla, ato janë mirëkuptuar shumë nga të gjithë, mirëpo ka ardhur koha që për to të pajtohemi edhe në letër. Afati që ne e kemi dhënë ka të bëjë me atë se marrëveshja duhet të arrihet dhe të nënshkruhet para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që është caktuar më 17 korrik”, ka thënë Ymeri.

Në këtë kontekst, Ymeri ka bërë me dije se nëse arrijnë marrëveshje me koalicionin LDK-AAK-NISMA, atëherë vendimi apo jo i pjesëmarrjes në koalicion qeverisës me këto parti do të merret me referendum nga anëtarësia e Vetëvendosje!-s.

“Pra, gjithçka varet nga marrëveshja”, ka deklaruar Ymeri, i cili është shprehur i rezervuar nëse do të ketë marrëveshje me koalicionin LDK-AAK-NISMA.

“Shpresoj se do të mbizotërojë arsyeja tek të gjitha subjektet politike në këto bisedime për krijimin e një qeverie konstruktive, me një kurs të ri shtetëror për ndërtimin e Republikës dhe zhvillimin ekonomik të saj”, ka thënë Ymeri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)