Ymeri e Kurti takohen me ambasadorin austriak
Prishtinë, 5 korrik - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, dhe i nominuari për kryeministër nga ky subjekt, Albin Kurti, takuan sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler dhe zëvendësen e tij, Vera Fusch.
Në këtë takim bëhet e ditur se është diskutuar mbi situatën politike, veçanërisht për zgjedhjet e 11 qershorit dhe rezultatin e tyre, si dhe formimin e qeverisë së ardhshme.
Me këtë rast, Ymeri e Kurti e kanë njoftuar më detajisht ambasadorin austriak për planin dhe 40 priortitetet e Vetëvendosjes, si projektin e vetëm që mundëson ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit.
\"Po ashtu, shprehën qëndrimet mbi dialogun me Serbinë, duke prezantuar para ambasadorit platformën e Vetëvendosjes për këtë çështje\", thuhet në një komunikatë të LVV-së.
Në anën tjetër, thuhet se Pfandler dhe Fusch kanë uruar Vetëvendosjen për suksesin në zgjedhje.
Diplomatët austriakë janë zotuar se Austria do të mbetet e vendosur për përkrahjen dhe mbështetjen e Kosovës, në veçanti për avancimin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe anëtarsimin në organizatat e tjera ndërkombëtare.