Ymeri: Demarkacioni nuk kalon
Prishtinë, 22 gusht - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka rideklaruar se demarkacioni me Malin e Zi nuk duhet të kalojë kurrsesi, pasi sipas tij Kosova nuk ka tokë për të falur.
Demarkacioni nuk do të kalojë sepse Kosovën ka kush ta mbrojë, ka deklaruar Ymeri në një intervistë për gazetën Shekulli.
Ai ka thënë se Vetëvendosje! do të vendosë në dispozicion të procesit kapacitetin e saj njerëzor e logjistik në funksion të ndalimit të versionit aktual të Marrëveshjes për demarkacionin. Protesta gjithëpopullore ne si Vetëvendosje! nuk kemi thirrur tash sa kohë. Nuk besoj se kemi të bëjmë me ndonjë abstenim popullor karshi ngjarjeve, përkundrazi qytetarët janë çdo herë e më të vëmendshëm. Sa i përket protestave të thirrura në Prishtinë nga shoqëria civile, unë mendoj se kemi të bëjmë me pasivitetin që e sjellin muajt e verës, gjë që ka qenë njëjtë gjithmonë. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se protesta është frymë, por është edhe logjistikë, dije organizative, taktikë e strategji. Është naive të mendosh se mjafton të publikohet një skandal dhe protestat nisin vetë. Neve jemi duke e vënë në punë gjithë trupin tonë të aktivizmit në shërbim të protestave e veprimeve kundërshtuese që do t´i ndërmarrim kundër demarkacionit, ka thënë ai.