18 Janar 2025

Ylber Islami, kandidat i VV për Kryetar të Fushë Kosovës

Prishtinë, 28 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Fushë Kosovë mbajti konferencë për media më ç’rast shpalli edhe fituesin e zgjedhjeve të brendshme për kandidat për kryetar të kësaj komune.

Ditën e dielë, më 25 gusht, anëtarët e 12 pikave të Lëvizjes në Fushë Kosovë kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë. Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e dielë.

“Pas pritjes 24 orëshe, pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Andaj, ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të shprehur në statutin dhe rregulloren për zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje!. Sot, shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidat për Kryetar të Komunës së anës, z. Ylber Islami, i cili ka fituar 91.45% të votave”, tha Alket Zeqiri nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.

Kandidati Ylber Islami falenderoi aktivistët e kësaj qendreje për besimin që ia kanë dhënë, duke shtuar se për ndryshimin e gjendjes në Fushë Kosovë, duhet angazhim i gjithësecilit.

“Përveç keqqeverisjes e keqmenaxhimit, pushtetarët në Fushë Kosovë janë angazhuar që ta disciplinojnë opozitën. Në Fushë Kosovë, fatkeqësisht, asnjëherë nuk ka pasur opozitë. Rrjedhimisht, asnjëherë nuk është artikuluar zëri i qytetarëve. ”, tha Islami.

Ai shtoi se kësaj radhe, qytetarët e Fushë Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje! kanë një alternativë politike të qartë. “Bashkë mund t’ia dalim! Guximi qytetar për ndryshime është më i domosdoshëm se kurrë. Unë do t’i shkoj deri në fund luftës sime politike pa marrë, parasysh pasojat”, theksoi në fund kandidati për Kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Ylber Islami.

Kryetari i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, përgëzoi aktivistët e Fushë Kosovës për zgjedhjet e brendshme që kanë mbajtur, dukë dëshmuar edhe njëherë nivelin e lartë të demokracisë brenda Lëvizjes. “Ylber Islami ka lindur në Fushë Kosovë më 20 qershor të vitit 1970. Si student i dalluar në Fakuletin e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe, ka diplomuar me notën mesatare 9,12. Gjashtë vjet ka punuar si profesor në shkollën e mesme të tregtisë, hotelierisë dhe turizmit “7 Shtatori” në Prishtinë. E më pas, për dhjetë vjet ka punuar në mediet e shkruara si gazetar, redaktor, redaktor gjuhësor-lektor. Në periudhën e paraluftës ka qenë shumë i angazhuar në aktivitete politike siç janë organizimi i mbajtjes së referendumit, organizimi i mësimit nëpër shtëpi, etj”, tha Kurti, përderisa po fliste për kandidatin.

Duke folur për komunën e Fushë Kosovës, Kurti tha se përveç moszhvillimit e mjerimit social, kjo komunë është ndëshkuar edhe përmes procesit të decentralizimit mbi baza etnike, që kishte për qëllim krijimin e komunave me shumicë serbe. Fushë Kosovës i janë marr fshatrat Batusë dhe Uglarë, ku në këtë të fundit janë shumë aktive edhe sot strukturat ilegale kriminale të Beogradit.

Rreth 60% e territorit të Fushë Kosovës është tokë bujqësore, përqindje kjo që paraqet potencial të jashtëzkonshëm për zhvillimin e bujqësisë, përmes së cilës do të rritej prodhimi e punësimi.

“Karakteristikë e Fushë Kosovës është se kjo komunë, përveç që ka qenë e njohur për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ishte e njohur edhe për lidhjen e këtyre dy degëve të rëndësishme ekonomikë me industrinë e përpunimit të produkteve.

Zhvillimi i disa degëve industriale, që kryesisht ka ndodhur në vitet ‘70,  ka qenë i stimuluar nga toka pjellore që ka kjo komunë”, tha Kurti. Ai tutje përmendi fabrikat që kanë qenë shtylla të zhvillimit ekonomik të kësaj komune, e që pas privatizimit, shumica kanë falimentuar, një pjesë e tyre është në prag të falimentimit, kurse ka edhe prej tyre që janë tjetërsuar tërësisht:

“Fabrika e miellit, dikur kishte mbi 300 punëtorë, e sot ka shumë më pak duke funksionuar kështu me kapacitete të minimizuara; Fabrika e Ushqimit Blegtoral, që kishte dikur rreth 300 punëtorë e pas privatizimit ka falimentuar; Therrtorja, me rreth 400 punëtorë, e falimentuar pas privatizimit; Qumështorja, me mbi 300 punëtorë, pas privatizimit është shndërruar në depo të shitjes së akumulatorëve”, kujtoi Kurti.

Ai foli edhe për Alternativën Qeverisë të Vetëvendosje!-s, e cila përbëhet nga tri shtylla kryesore që lidhen ngushtë me njëra tjetrën: shteti i së drejtës, shteti zhvillimor dhe shteti social.

“Vetëvendosje! synon që përmes saj të ndërtojë një shtet të së drejtës, ku drejtësia vepron  dhe aplikon barazi për të gjithë, duke goditur së pari ata që janë më të korruptuarit nëpër majat e sistemit. Shteti i së drejtës është shtet i mirëfilltë demokratik, që doemos të çon kah zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik e social."

"Shteti zhvillimor ka për qëllim zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, rrjedhimisht zhvillimin e industrisë, bujqësisë, ndërtimin e kapaciteteve përpunuese, rregullimin e tregtisë në favor të prodhimit vendor, pronësinë e drejtpërdrejtë të shtetit në kompanitë apo asetet strategjike, etj. Ne angazhohemi që paralelisht me ndërmarrësit privatë, t’i zhvillojmë edhe kompanitë publike. Ne angazhohemi që ky shteti zhvillimor të jetë edhe shtet social, pra universal dhe solidar. Universal,  sepse të gjithë paguajnë për të mirën e përgjithshme, dhe solidar sepse ata që kanë të ardhura më të larta paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme”, theksoi Kurti.
 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)