Yagcilar: Thaçi dhe Daçiqi ta shfrytëzojnë shansin më 2 prill
Prishtinë , 22 mars - Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (PDTK), Mahir Yagcilar, e ka vlerësuar konstruktiv takimin e 20 marsit në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Në një intervistë për Epokën e re, Yagcilar ka kërkuar nga dy kryeministrat që më 2 prill ta shfrytëzojnë shansin historik për arritjen e marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve, e cila do ti afronte Kosovën dhe Serbinë me Bashkimin Evropian (BE). Besoj se më 2 prill do të shfrytëzohet një rast historik për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Kërkoj nga kryeministri Thaçi dhe Ivica Daçiq ta shfrytëzojnë shansin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të afrohen me Brukselin dhe të jenë pjesë e familjes evropiane, ka thënë Mahir Yagcilar.
Në këtë kontekst, Yagcilar ka deklaruar se politikanët serbë tashmë e kanë kuptuar qysh moti se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Serbia e ka kuptuar realitetin e krijuar në Kosovë qysh herët. Por, mosdeklarimi i politikanëve serbë mendoj se më shumë është çështje diplomatike dhe politike. Tani për Kosovën është e rëndësishme të angazhohet maksimalisht për zhvillim ekonomik, integrime dhe shtim të njohjeve të reja, ka thënë Yagcilar, duke shtuar se është kundër kompetencave ekzekutive të asociacionit të komunave më shumicë serbe.
Kryetari i PDTK-së, i cili është edhe ministër i Administratës Publike, ka thënë se është komod në Qeverinë e Kosovës dhe se nuk i frikësohet riformatimit të paralajmëruar të kësaj qeverie.
Në këtë aspekt duhet të bëhen konsultimet. Nëse vlerësohet një gjë e tillë, atëherë jam i gatshëm të lëviz në një pozicion tjetër, është shprehur Yagcilar.