18 Janar 2025

Xhemshit Vokrri, kandidat i VV për Kryetar të Podujevës

Prishtinë, 1 shtator - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Podujevë mbajti konferencë për media, më ç’rast shpalli edhe fituesin e zgjedhjeve të brendshme për kandidat për Kryetar të Komunës së Podujevës, i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Kadri Balaj, babai i dëshmorit Mon Balaj.
 
Ditën e premte, më 30 gusht, anëtarët e 28 pikave të Lëvizjes në Podujevë kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë. Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e shtunë.

“Pas pritjes 24 orëshe, pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Andaj, ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme, të shprehur në statutin dhe rregulloren për zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje!.

Sot, shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidat për Kryetar të Komunës së Podujevës, Xhemshit Vokrri, i cili ka fituar 99,6% të votave”, tha Fatmir Latifi nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
 
Kryetari i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, tha se komuna e Podujevës, me Xhemshit Vokrrin dhe Lëvizjen Vetëvendosje!, i pret ndryshimet e mëdha. “Xhemshit Vokrri ka lindur me 18 tetor të vitit 1949, në fshatin Sveçël të Komunës së Podujevës. Shkollën fillore e kreu në Sveçël, kurse të mesmen në Podujevë. Fakultetin e Xehtarisë dhe Gjeolozisë e përfundoi në Tuzlla të Bosnës, drejtimi i përgjithshëm.

Nga viti 1977 deri në vitin 1987 punoi në Organizatën Punuese “Xeheroret dhe Flotacioni – Kishnicë dhe Novobërdë”, në shumë pozita të ndyshme si: inxhier i prodhimit, udhëheqës teknik i “Revivit” dhe mihjes sipërfaqësore, udhëheqës teknik i minierës, projektues, drejtor i njësisë për hulumtim dhe zhvillim, drejtor i njësisë punuese, e të tjera. Më pas, në vitet ’88 - ‘89 ishte drejtor i organizatës themelore në Minierën e Goleshit.

 Në vitet 1989-1990, Xhemshit Vokrri burgoset për arsye politike, për shkak se isht njëri ndër organizatorët e grevave të minatorëve. Më pas, kthehet në punë në vitin 1990, ku brenda këtij viti punon si drejtor i përgjithshëm në Minierën dhe Industrinë e Magnezitit, “Goleshi”, pastaj si inxhinier i prodhimit në Organizatën Punuese “Xeheroret dhe Flotacioni – Kishnicë dhe Novobërdë”, për t’u larguar më pas nga puna dhe që nga viti 1990 deri në vitin 1997 mbetet pa punë.

Nga viti 1997 deri në vitin 2007 punon jashtë profesionit të tij, dhe jashtë vendit të tij, në Gjermani”, theksoi Kurti, teksa fliste për kandatin, duke shtua se i njëjti është autor i shumë projekteve hulumtuese dhe zhvillimore dhe i punimeve tjera shkencore.

Duke folur për Komunën e Podujevës, Kurti tha se në këtë vend janë zhvilluar luftëra të ashpra, si dhe ishte e organizuar zona e pestë e UÇK-së.

“Gjatë luftës së fundit, në këtë zonë ranë heroikisht 154 ushtarë të UÇK-së, ndërsa 181 u plagosën”, u shpreh ai, duke shtuar se dëmet e luftë në këtë komunë llogariten të jenë rreth 350 milionë euro.

Për zhvillimin ekonomik, Kurti tha se në fund të viteve ’70 gjatë viteve ‘80, në Podujevë operonin 16 ndërmarrje shoqërore, me rreth 2,500 punëtorë.

“Të gjitha këto 16 ndërmarrje shoqërore u shkatërruan. Shkatërrimet e luftës, që ishin granatim e plaçkitje, u pasuan nga shkatërrimi i pasluftës, që quhet privatizim. Pas luftës, përmes privatizimit të egër janë privatizuar 4 fabrika: Fabrika e armaturës “FAN” kishte 450 punëtorë dikur, tani ka vetëm 35; Fabrika e tjegullave funksionon sa për të mbijetuar, me numër shumë më të vogël të punëtorëve; Fabrika e polisterit është shkatërruar tërësisht, duke u shndërruar kështu hapësira në terminal doganor; Kurse, tek kombinati i drurit, ku punonin qindra qytetarë të Podujevës, tani janë ndërtuar banesa”.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Vetëvendosje!-s, Xhemshit Vokrri, tha se Lëvizja do të ndërtojë marrëdhënie krejt tjetër me qytetarët, për dallim prej atyre që po udhëheqin tani.

“Me qasjen dhe punën tonë do t’i bindim ata se nuk jemi as sundimtarë e as tutorë, por thjeshtë shërbyes të tyre, dhe në këtë synim nuk do të bëjmë kompromis”, u shpreh Vokrri. Duke folur për zhvillimin ekonomik, Vokrri theksoi se duhet të rritet prodhimtaria në ata sektorë ku komuna posedon resurse.

“Vetëvendosje! angazhohet që zhvillimi të jetë i planifikuar dhe të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarit, kudo që ai jeton. Po vie momenti i mendjes dhe i energjisë pozitive, dhe i njerëzve të padjallëzuar, e këto do ta shpiejnë përpara vendin dhe komunën. Të ligat e shoqërisë do t’i ndërpresim, të këqiat do t’i zhdukim”, tha ndër të tjera Vokrri.

Ai shtoi se me një organizim të mirë, punë të madhe, përfillje e zbatim të drejtësisë, kjo komunë e përbuzur nga udhëheqësit e deritashëm do të bëhet shembull i përparimit dhe i mirëqenies së qytetarit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)