Xhemajli: Kurti ka mbajt kontakte me shërbimin sekret serb
Prishtinë, 25 dhjetor - Kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli deklaroi se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka elemente sllave.
Ai këtë e deklaroi mbrëmë në emisionin Interaktiv në KTV, duke drejtuar akuza edhe ndaj kreut të kësaj Lëvizje, Albin Kurti, të cilin e ka përmendur lidhur me një takim me pjesëtarë të shërbimit sekret serb.
Ai pas luftës dhe lirimit nga burgu ka mbajtur kontakte të vazhdueshme deri në vitin 2004 me inspektorë të shërbimit sekret serb dhe me njerëz të armatës serbe. Këtu vlen të përmenden vëllezërit Daçiç nga Klina, me të cilët është parë Kurti në takime. Njëri prej tyre është inspektor i shërbimit sekret serb dhe tjetri oficerë i armatës serbe, deklaroi Xhemajli.
Ai ka shprehur keqardhje që disa bashkëluftëtarë të UÇK-së janë pjesë e kësaj Lëvizje, duke përmendur gjeneralin Rexhep Selimi. Ai ka hedhur poshtë akuzat se OVL e UÇK-së po mbron interesat e PDK-së dhe Hashim Thaçit. Kjo nuk qëndron, sepse ne po mbrojmë vlerat e UÇK-së në këtë rast dhe se dihet se Hashim Thaçi ka qenë një nga kryesuesit e kësaj ushtrie, theksoi Xhemajli.