Xhelili: Kuvendi ti mbikëqyrë përgjimet e EULEX-it
Prishtinë, 22 shkurt - Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili ka kërkuar nga EULEX-i që për punën e tij në fushën e sigurisë ta informoj Kuvendin , respektivisht Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një intervistë për Epokën e Re, Xhelili, i cili është anëtar i këtij komisioni, ka folur edhe për Projektligjin për Përgjimet. Ai ka thënë se dy, gjegjësisht tri problematika janë diskutabile tek ky projektligj.
Kryesorja është se çelësat teknik për kyçje tek operatorët e telefonive mobile a do të mbesin tek operatorët e telefonive mobile a do të kalojnë tek Qendra Elektronike në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, siç është propozuar në këtë projektligj. Në bazë të ligjit për telekomunikimet, ai tani është tek operatorët. Si njëri ashtu edhe tjetri variant i ka përparësitë dhe mangësitë e veta, ka deklaruari.
Lidhur me çështjen e përgjimeve, Xhelili ka dalë me idenë se Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ta mbikëqyr edhe rregullsinë ligjore të interceptimit të njësisë së EULEX-it.
Duhet të adresohen saktë kompetencat e komisioneve adekuate për mbikëqyrjen e përgjimeve. Gjithashtu duhet të definohen saktë edhe mënyrat e ruajtjes së produkteve të përgjimit, afatet kohore të ruajtjes, mënyrat dhe saktësia e distribuimit të produkteve të përgjimit, gjithnjë duke i mbrojtur të drejtat e njeriut dhe privatësinë e atyre të cilët përgjohen."
"Mbikëqyrja duhet të realizohet në të gjitha instrumentet e shtetit të cilat kanë të drejtë ligjore ti përdorin aparaturat e interceptimit. Do të insistoj që Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ta mbikëqyrë edhe rregullsinë në atë segment. Pse jo Komisioni Parlamentar, ka thënë Xhelili.