Xhaferi: Stabiliteti i Kosovës ndikon në stabilitetin e Maqedonisë
Prishtinë, 10 mars - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur në takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi, me të cilin kanë biseduar për aktualitetet politike të cilat po zhvillohen në Republikën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se bashkëpunimi në mes të dy vendeve është në nivelin e duhur dhe ka mundësi që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, në veçanti ministritë respektive të ngrisin dhe të implementojnë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani dhe njëkohësisht të ngrisin kapacitetet për bashkëpunime të mëtejme.
Qeveria e Maqedonisë e ka respektin për bashkëpunim, por natyrisht faktori politik shqiptar e ka mbështetjen tonën për ruajtjen e identitetit kombëtar, përforcimin e tij dhe përfaqësimin e plotë në institucionet republikane atje. Besoj që prosperiteti i shqiptarëve në Maqedoni dhe ku do që janë, është fuqizim i faktorit shqiptar, por njëkohësisht nënkupton fuqizim të bashkëpunimeve tona në planin ekonomik, politik dhe kulturor, tha Kuçi.
Edhe Zëvendëskryeministri Xhaferi vlerësoi bashkëpunimin me Qeverinë e Republikën e Kosovës dhe tha se Maqedonia përmes përvojave të veta dëshiron të ndihmojë forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, që sipas tij është në interes kombëtar dhe regjional.
Stabiliteti i Kosovës ndikon edhe në stabilitetin të ne. Lajm i gëzueshëm për ne është që Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe kjo ndihmon që institucionet e Kosovës të jenë më të qëndrueshme dhe më të respektueshme në rajon, tha Xhaferi.
Duke folur për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Kosova dhe Maqedonia kanë tri marrëveshje juridike në fushën penale të cilat edhe po implementohen dhe shtoi se janë në përgatitje edhe të marrëveshjes për bashkëpunim juridik në çështjet civile, ku sipas tij me nënshkrimin e kësaj marrëveshje pritet të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve, por edhe marrëdhëniet juridiko-civile të dy vendeve.
Në fund të takimit të dy zëvendëskryeministrat shprehen gatishmërinë që bashkëpunimi në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë të thellohet edhe më shumë.