Williamson në Kosovë me rastin e përfundimit të mandatit të tij
Prishtinë, 21 korrik Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, priti në takim Kryeprokurorin e Task Forcës Speciale Hetuese, Clint Williamson dhe shefin e EULEX-it në Kosovë, Bern Borchardt.
Takimi u realizua me rastin e përfundimit të mandatit të z. Williamson si udhëheqës i Task Forcës Speciale Hetuese. Detyrë kjo të cilën e ka mbajtur për 3 vite dhe që pritet të përfundojë me publikimin e një raporti gjatë javës së ardhshme rreth të gjeturave të hetimit.
Të pranishmit diskutuan për çështje relevante rreth funksionimit të Task Forcës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me organet e drejtësisë në Kosovë dhe Qeverinë, duke veçuar se institucionet e Kosovës kanë ofruar bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të drejtësisë.