William Hague e përgëzoi Presidenten Jahjage
Prishtinë, 11 mars - Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague e përgëzoi Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, për lansimin nga ana e saj të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Në një letër drejtuar Presidentes Jahjaga, Sekretari Hague thekson:
E nderuara zonja Presidente,
Po ju shkruaj për tju përgëzuar për lansimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Siç e dini, kjo çështje është shumë afër zemrës sime dhe përshëndes të gjithë punën tuaj për ta shtyrë përpara këtë iniciativë të rëndësishme.
Angazhimi i Këshillit Kombëtar mbi qasjen në drejtësi, asistencën shëndetësore dhe psiko-sociale, fuqizimin ekonomik dhe ngritjen e vetëdijes si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, do të jetë absolutisht jetike për të mbështetur të mbijetuarit (e dhunës seksuale gjatë luftës) dhe për të adresuar pandëshkueshmërinë (e përgjegjësve).
Kjo nismë shënon përparim të rëndësishëm që kur vizitova Kosovën vitin e kaluar dhe kur Ju ndatë me mua se vendi juaj vazhdon të ballafaqohet me një numër sfidash në adresimin e çështjeve të dhunës seksuale gjatë konfliktit. Të mbijetuarit duhej akoma të njiheshin në Ligjin për Martirët dhe Viktimat Civile të Luftës. Niveli i hetimeve dhe ndjekjeve penale të lidhura me dhunën seksuale në konflikt mbetej i ulët dhe stigmatizimi shoqëror që i shoqëronte këto krime kishin ngadalësuar rehabilitimin, qasjen në drejtësi dhe riintegrimin socio-ekonomik të të mbijetuarve. Shpresoj që Këshilli juaj Kombëtar do të adresojë këto çështje.
Jam mirënjohës që me rastin e lansimit të Këshillit Kombëtar do të shprehni edhe mbështetjen e Kosovës për Deklaratën e Përkushtimit për Ndalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, të cilën unë e kam lansuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar. Jam në dijeni se Këshilli fillimisht do të ketë mandat njëvjeçar dhe do të shërbejë për të angazhuar aktorët kyç vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë qenësore për një qasje gjithëpërfshirëse të kësaj çështjeje. E mirëpres kontributin e Kosovës në angazhimin global për të parandaluar dhunën seksuale në konflikt, përfshirë ndihmën në hartimin e Protokollit Ndërkombëtar për Hetimin dhe Dokumentimin e Dhunës Seksuale në Konflikte.
Suksesi i Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në nivel global vazhdon të llogaris në mbështetjen tuaj. Ju jam mirënjohës për atë që keni bërë deri më tani, përfshirë kontributin e zyrtarëve tuaj gjatë gjithë procesit. Unë shpresoj se Ju do vazhdoni të luani një rol aktiv në fushatën tonë, përfshirë dhe në përgatitjen për Samitin Global të cilin do ta udhëheq në qershor, së bashku me Emisaren Speciale të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë Angelina Jolie.
Sinqerisht,
William Hague