VV:Ditë e Rëndësishme për Luginën!
Prishtinë, 28 prill - Të nderuar bashkëkombas, shqiptarë të Luginës, sot është një ditë e rëndësishme ku ju mund t’ia jepni edhe një mandat deputeti z. Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë.
Nevojiten 650 vota që z. Kamberi ta vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve.
Ftoni të gjithë ata që i njihni dhe që kanë të drejtë vote të shkojnë në Tërnoc, në qendrën numër 6 të vendvotimit, dhe ta votojnë bartësin e listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberin për një mandat të ri.
Diskriminimi e shtypja ndaj shqiptarëve në Luginë ka shtuar migrimin. Tash pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë i ka zvogëluar gjasat e përfaqësimit të tyre nëpër institucione. Është tejet e rëndësishme që zërin përfaqësues të Shaip Kamberit ta kemi sërish në kuvend.
Shaip Kamberi për dy mandate ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve duke denoncuar regjimin autokratik në Serbi.
Shaip Kamberi ka ngritur zërin për krimet e Serbisë në Kosovë dhe për fshehjen e tyre.
Shaip Kamberi ka problematizuar kushtetutën e Serbisë që e sheh Kosovën si pjesë të saj dhe ka avokuar në vazhdimësi për reciprocitet të të drejtave mes pakicave serbe në Kosovë dhe atyre shqiptare në Serbi.
Prandaj, të gjithë ju më të drejtë vote, shkoni sot në vendvotimin numër 6 në Tërnoc dhe të votoni për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, të votoni për Shaip Kamberin.