22 Janar 2025

VV: Zajednica legalizon ndarjen etnike në arsim

Prishtinë, 18 tetor - Në konferencën për media lidhur me ndarjen etnike të arsimit deputeti  Mytaher Haskuka tha se “si në shumë fusha tjera, marrëveshja për \"Zajednicën\" shkakton dëme edhe në arsimin universitar. Prandaj, edhe unë dua të theksoj që jemi këmbëngulës në kërkesat tona që Kryeministri të tërhiqet nga kjo marrëveshje”.

Këto javë pritet vendimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë. Në të njëjtën kohë Qeveria Mustafa-Thaçi po tërhiqet dhe rregullimi i arsimit, shkencës dhe kulturës në një pjesë të territorit të saj. Teksa zëvendëskryeministri Thaçi deklaron se në nëntor do të hymë në UNESCO ai bashkë me kryeministrin Mustafa po heqin dorë nga sigurimi i arsimit të lartë sipas vlerave universale, unitar dhe i përbashkët, duke i hapur rrugë legjitimit të ndarjes sipas kriterit etnik të hapësirës universitare.

Në shtator Lista Serbe, apo më saktë Beogradi e bllokoi miratimin në mbledhjen e qeverisë të projektligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë nën pretekstin se s\'është konsultuar Universiteti paralel që funksionon në pjesën veriore të Mitrovicës edhe pse Ministria e Arsimit ftesat për konsultime ua pat dërguar. Është e qartë se të tilla bllokime nëse s\'hiqet dorë nga \"Zajednica\" do të jenë edhe më të shpeshta e më arbitrare.

Duke folur për licensimin e Universitetit paralel të Prishtinës që operon në veri të Mitrovicës, licensim që nuk u implementua kurrë, Haskuka tha se “Me marrëveshjen për Zajednicën edhe legjislacioni i deritashëm do të humbë vlerën e tij dhe kontrolli i paraparë në Ligj do të hiqet tërësisht ngase me këtë marrëveshje  parashihet që të ketë “ushtrim të plotë të mbikëqyrjes në fushën e arsimit”, me ç’rast në Kosovë përfundimisht legalizohet krijimi i  sistemit paralel etnik i arsimit të lartë.  Pra, në vend që të kemi një Universitet të Mitrovicës i cili do t’i jepte perspektivë këtij rajoni të Kosovës, me marrëveshjen për Zajednicën ky universitet paralel ngurtësohet si simbol i ndarjes etnike dhe shtangimit ekonomik.

Ndërkaq deputeti, Ismail Kurteshi foli për thellimin e mëtutjeshëm të ndarjes etnike përmes planprogrameve shkollore të cilat do jenë të ndara nga ato që caktohen nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë .

Sipas Kurteshit kjo përfundimisht i bie se në Kosovë do ekzistojnë dy sisteme arsimore dhe Qeveria e Kosovës nuk do ketë kontroll e as mbikëqyrje mbi institucionet arsimore e shkencore, parauniversitare në Komunat më shumicë serbe në Kosovë.

Ai tha se ligji i cili rregullon Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, ku në nenin 12.2 thuhet se MASHT-i përcakton planprogramet shkollore sa i përket arsimimit në gjuhën serbe, por me nënshkrimin e marrëveshjes së fundit ky ligj e humb kuptimin pasi që institucionet tona shtetërore nuk do të lejohen të kenë qasje.
Në vend të përpjekjes për ta ndryshuar rrënjësisht këtë gjendje në arsim, Qeveria e Kosovës na servoi Marrëveshjen për legjitimimin e ndarjes etnike të sistemit arsimor.

Nëse shkolla është e ndarë, nëse kopshtet janë të ndara dhe me varësi nga autoritete të ndryshme nga ato të Republikës së Kosovës ne nuk kemi çfarë presim tjetër përpos datën e re të konfliktit të ardhshëm, ndaj është e domosdoshme ndalja e realizimit të kësaj marrëveshjeje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)