VV: Trefishimi i Bosnjës në Ballkanin Perëndimor
Prishtinë, 15 maj - Deputetë të Kuvendit të Kosovës,22 veta u vranë e 26 u arrestuan nga luftimet në Kumanovë gjatë fundjavës së shkuar dhe fillimit të kësaj jave. Sipas raportimit të medieve, duket se së paku dy qytetarë të Kosovës u vranë pasi u kapën rob dhe pasi ishin çarmatosur. Humbje e dëme të mëdha njerëzore e materiale si dhe shkelje të shumta të të drejtave të njeriut u shënuan në Kumanovë këto ditë.
Mirëpo, partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë dje nuk lejuan debat në Kuvendin e Kosovës. Të gjitha deklaratat e krerëve institucionalë në Kosovë për ngjarjet në Kumanovë ishin deklarata të njerëzve që mendojnë për veten e tyre e jo për Kumanovën dhe shqiptarët atje. Kështu, Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa dënuan shtetasit e Republikës së Kosovës të përfshirë në incidente në Maqedoni, ministri i jashtëm Thaçi me gjuhë edhe më të ashpër dënonte cenimin e rendit dhe sigurisë në Maqedoni, ndërkaq kryetari i Kuvendit Veseli shprehte besimin e tij në vullnetin e kapacitetet e shtetit maqedon.
Mbi të gjitha, asnjëri prej tyre nuk e dënoi regjimin autokratik të Gruevskit, i cili me kryespiunin Mihalkov e kryepolicen Jankullovska, është dëshmuar për qëndrimet e veprimet e tyre anti-demokratike e anti-shqiptare. Ambasadorë të ndryshëm perëndimor e posaçërisht z.Erwan Fouere e tejkaluan edhe çdo fjalor diplomatik në përshkrimin negativ të Gruevskit dhe shpurës së tij. Mirëpo, këtë nuk e bënë edhe krerët e shtetit të Kosovës. Përkundrazi.
Jam i bindur që shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës nuk mendojnë si këta, se ju përgjithësisht nuk ndjeheni të përfaqësuar me ato deklarata dhe se kjo është një arsye e fuqishme politike dhe institucionale që e bën debatin për ngjarjet në Kumanovë të domosdoshëm në Kuvend, por është edhe arsyeja pse këta nuk e lejuan debatin.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Karakterin dhe orientimin e shtetit të Maqedonisë nuk mund ta kuptojmë pa ndikimin e Serbisë dhe interesat e saj. Dallimi midis Gruevskit dhe Georgievskit është si dallimi midis Serbisë dhe Bullgarisë. Se Serbia shfaqet si protektore e Maqedonisë edhe e kemi ditur nga historia edhe e kanë thënë vet krerët e Serbisë shpesh. Psh. në vizitën dyditore të ish kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq në Shkup na janar të vitit 2013, ai pat deklaruar:
Maqedoninë nuk e kërcënon kurrfarë rreziku nga veriu. As për ekzistencën dhe as për identitetin e saj. Kurse Serbia mundet vetëm të ndihmojë nëse ai rrezik kërcënon prej ndonjë ane tjetër. (Daçiq bën një pauzë cinike dhe vazhdon
) Në kuptimin politik, natyrisht. Në po të njëjtën ditë kur Gruevski po e mirëpriste Daçiqin në Shkup, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, po e mirëpriste ministrin e jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, në Moskë. Vështirë të ketë qenë koincidencë protokollesh e gjithë kjo.
Jo vetëm me Republikën Serbe në Bosnje, por edhe me Maqedoninë, Serbia bashkëpunon më shumë sesa Kosova me Shqipërinë. Më 16 shkurt 2015, qeveria e Serbisë dhe e Maqedonisë e patën diskutuar kompletimin e Korridorit 10 deri në shtator 2016, ndërtimin e largpërçuesit elektrik 400 kV midis Nishit e Shkupit që do të hapet në dhjetor, si dhe ndërtimin e lidhjes së gazit Vranjë-Kumanovë dhe të të gjitha lidhjeve hekurudhore me Greqinë.
Nuk do të mund të mbijetojnë edhe regjimi i Gruevskit edhe shteti i Maqedonisë. Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Maqedoni, shqiptarët përbëjnë mbi çerekun e banorëve të Maqedonisë ndërkohë që numri i tyre realisht sillet mbi një të tretën e popullsisë. Numri i të punësuarve shqiptarë në ndërmarrjet publike dhe administratën shtetërore është rregullisht nën 10%, kurse për pozitat udhëheqëse ai bëhet pothuajse i papërfillshëm. Dihet se shifra 20% është shprehja më e shpeshtë në tekstin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo, nga pushteti i Gruevskit kjo merret si shtysë e motiv për ti zbritur shqiptarët kudo nën 20% të popullsisë, e jo për tua rritur atyre të drejtat meqë përbëjnë mbi 20% të popullsisë në aq shumë vendbanime. Nëse nuk do të mund ti dëbojë plotësisht shqiptarët nga Kumanova, shtetrrethimi i Gruevskit atje do që shqiptarët në komunën e Kumanovës ti zbresë nën 20%. Kumanova e lidh Luginën e Preshevës me Shkupin, prandaj Gruevski e Vuçiqi duan ta zbrazin sa më shumë atë nga popullsia shqiptare.
E ardhmja e rajonit të Ballkanit perëndimor të paintegruar në Bashkimin Evropian nuk po duket aspak e ndritshme. Në vend se të kemi debosnjëzim të Bosnjës, po rriten gjasat për tri bosnjë në rajon: Bosnja si bosnje, Kosova si Bosnja e pasluftës me Zajednicën e instaluar dhe Maqedonia si Bosnja e paraluftës me regjimin e Gruevskit. Nëse nuk e rimendojmë Ballkanin perëndimor, nga hegjemonia e Serbisë dhe elitat e korruptuara, Ballkani përndimor po shndërrohet në një lindje të mesme të Evropës e para portave të BE-së.
Populli po i diskuton këto tërë kohën e gjithandej. Deputetët janë zëvendësit e popullit, edhe sipas etimologjisë së fjalës \"deputet\", pra ata që e zëvendësojnë popullin sepse në këtë sallë nuk i zë dy milionë njerëz por 120 sosh. Mirëpo, duke mos debatuar situatën në Kounaovë, ne nuk po e përfaqësojmë popullin as për sy e faqe. Ju faleminderit!
12 shtator 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Albin Kurti