VV: Skënder Hyseni ti ndalë menjëherë deportimet nga Kosova
Prishtinë, 22 korrik - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se urdhrat që ndalojnë lirinë e lëvizjes, hyrjen dhe qëndrimin në Kosovë të qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, janë urdhra me prapavijë politike dhe të padrejtë.
\"Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke urdhëruar dëbimin nga Kosova për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! të cilët nuk kanë shkelur asnjë ligj po bën gabime të rënda politike.\"
\"Policia dhe institucionet e rendit të drejtuara prej tij po shkelin të drejtat e liritë e njeriut, madje edhe ligjet e Kosovës duke përndjekur aktivistët e Lëvizjes me origjinë nga Shqipëria.\"
\"Për këto arsye, sot ne kemi gjuajtur me ngjyrë veturën e tij gjatë një aksioni simbolik nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!\", thekson VV.
Ndalimin e hyrjes në Kosovë për Dejona Mihalin, e më herët deportimet e aktivistëve Boiken Abazi, Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Bashkim Rodoni, kjo qeveri po i bën në kohën kur strukturat kriminale të Serbisë enden të lirë nëpër Kosovë, madje me përcjellje të policisë.
\"Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin, Bashkim Rodonin e Boiken Abazin, si dhe ndaljen e persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! nga Republika e Shqipërisë. Përndryshe aksionet tona nuk do të ndalen me kaq!\"