VV: Sa herë përmendet ShIK-u, Prokurorinë e zë gjumi
Prishtinë, 22 prill - Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kohë që kërkon hetimin e SHIK-ut, në mënyrë që të dihet njëherë e mirë se kujt i ka shërbyer kjo organizatë, mbi çfarë baze ligjore është ndërtuar, dhe si është financuar.
Kohëve të fundit kemi parë edhe eksponentë të pushtetit, konkretisht të PDK-së, që flasin për kapjen që ua ka bërë SHIK-u institucioneve shtetërore. Para disa javësh kemi parë Bajram Rexhepin që deklaroi se ShIK-u e ka kapur PDK-në e përmes PDK-së shtetin, ndërkaq mbrëmë erdhi deklarata nga deputeti Rrustem Mustafa që njëherit ishte edhe komandant i Zonës Operative të Llapit. Edhe deputeti Mustafa e përmendi ShIK-un si organizatë ilegale që ka shtrirë ndikimin e saj në ndërmarrjet publike.
Pas këtyre dy deklaratave do të duhej që Prokuroria e Shtetit të nisë menjëherë hetimet ex-officio për këtë organizatë. Këto deklarata vijnë nga njerëz që kanë pasur pozita të rëndësishme udhëheqëse shtetërore e partiake. Për më tepër, që të dy janë figura të PDK-së, që në fakt është mbulesa politike e kësaj organizate kriminale, andaj edhe mund ta krijojnë bazën e mjaftueshme për nisjen e këtyre hetimeve.
Tash që për ShIK-un po flasin madje edhe eksponentët e PDK-së, Prokuroria e Shtetit po bën sehir dhe po qëndron indiferente. Si ndodh që sa herë përmendet ShIK-u, Prokurorinë e zë gjumi?!
Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! këmbëngulë në krijimin e Komisionit Hetimor për ShIK-un, kundërshtimi vjen duke u thirrur në ndarjen e pushteteve, gjegjësisht ndërhyrjen e Kuvendit në punët e gjyqësorit, kurse e vërteta është që gjyqësori është gjithashtu i kapur. Është pikërisht vullneti politik e guximi qytetar, kushti dhe mundësia për drejtësinë.