VV rrëzon rrethojat e vendosura nga Qeveria
Prishtinë, 1 shtator VETËVENDOSJE! ka realizuar një aksion simbolik duke i hequr grilat e vendosura dje nga Qeveria.
Aksioni u realizua, pasi ne mendojmë se demokracia e vërtetë nuk e lejon që një qeveri të ndahet nga populli. Kjo ndarje i ngjan vetëm sistemeve të kaluara autoritare që nuk kanë lidhje me demokracinë.
Politikanët në pushtet duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. E nëse vendimet e tyre janë të padrejta dhe të papërgjegjshme, ata nuk duhet ti ikin përgjegjësisë duke u barrikaduar për tu ndarë nga populli. Ata që marrin vendime për ne qytetarët, nuk kanë të drejtë të ikin dhe të fshihen nga qytetarët, tha aktivisti Valdrin Ahmeti pas përfundimit të aksionit.
Ai shtoi se, derisa Isa Mustafa po izolohet brenda kësaj ndërtese për tu ikur përgjegjësive të veta, në njërën anë po e ndan dhe defunksionalizon Kosovën përmes Zajednicës e në anën tjetër po e përdor buxhetin e shtetit për ti shpërblyer djemtë e tij.
Pushteti nuk mbrohet me dhunë. Dhuna e pushtetit nuk është zgjidhje. Persekutimet ndaj aktivistëve dhe qytetarëve, kërcënimet dhe gjuha e ulët e kryeministrit ndaj kujtdo që e kundërshton, janë tensionim i situatës.
Themelimi i Zajednicës në Kosovë është tërësisht i papranueshëm dhe si rezultat i kësaj marrëveshjeje të dëmshme, Isa Mustafa duhet të japë dorëheqje.