VV; Regjimi nis bastisjet e shtëpive të aktivistëve të opozitës
Prishtinë, 17 mars - Sot rreth orës 01:00 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë bastisur shtëpinë e aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Leotrim Bajramit duke terrorizuar familjarët e tij. Më pas, edhe rreth orës 06:00 policët janë rikthyer për bastisje në të njëjtën familje.
Masat represive të regjimit fashist nuk po njohin kufij. Ata po bastisin shtëpi e po thyejnë zyra të subjekteve opozitare, ditën edhe natën. Policë me edhe pa uniformë po arrestojnë e po terrorizojnë aktivistë e qytetarë. Eksponentë të pushtetit e të qeverisë, pa prova, po japin verdikte fajësuese për aktivistë e qytetarë që më vonë vërtetohet se janë të pafajshëm. Po deportohen jashtë Kosove, pa proces gjyqësor e pa mundësi për t\'u mbrojtur drejtues të opozitës. Aktivistë të opozitës torturohen nëpër burgje. Profesionistë të propagandës po linçojnë e po shpifin kundër opozitës, dhe po bëjnë fushatë për pranueshmërinë e masave fashiste të regjimit Mustafa-Thaçi-Veseli.
Të gjitha këto janë të papranueshme. I bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta luftojnë me çdo mjet dhe ta zmbrapsin këtë regjim që e qeveris Kosovën me metoda e me frymë fashiste. Është koha që t\'i lëmë pas dallimet politike dhe të bashkohemi për ta rrëzuar sundimin e krimit dhe të brutalitetit. Vetëm së bashku mund ta fitojmë luftën për demokraci e për shtet të drejtë, ku askush nuk do të mund të përndiqet për shkak të angazhimeve dhe bindjeve të veta politike, çfarëdo që të jenë ato.