VV: Ramadan Muja nuk e njeh Kuvendin Komunal
Prizren, 6 janar - Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Drita Millaku ka vlerësuar se në bazë të punës së deritashme, shihet se Ramadan Muja nuk e njeh Kuvendin Komunal të Prizrenit. Përpos që nuk merr pjesë në mbledhjet e asamblesë, ai nuk i zbaton as vendimet e saj.
Vendimi i datës 19 shtator 2013 për punimin dhe vendosjen e statujës së Vrapueses së Prizrenit, sipas saj e obligon Mujën që të gjejnë lokacion të përshtatshëm për vendosjen e saj. Kaluan mbi një vit e gjysmë, dhe ky vendim nuk po përfillet.
\"Po ti analizojmë vendimet e marra në këtë periudhë kohore nga kjo qeverisje, do të vërejmë se vetëm brenda dy muajve, shtator dhe tetor, Ramadan Muja ka lëshuar mbi 100 vendime të cilat kryesisht kishin të bënin me joshjen e qytetarëve dhe përfitimet e militantëve partiak\", ka theksuar Millaku.
E njëjta praktikë sipas saj është përdorur edhe në maj të vitit 2014 gjatë fushatës së zgjedhjeve qendrore. Kjo do të thotë që në mënyrë indirekte dhe direke, ai i ka blerë votat me këto vendime.
\"Se Ramadan Muja nuk i përfill vendimet e asamblesë, tregon edhe vendimi i lëshuar më 23 maj 2013, vendim ky që ka të bëjë me ngritjen e shtatores së Komandantit legjendar Adem Jashari. Ky vendim as nuk është zbatuar, e as që është diskutuar më.\"
\"Kjo qeverisje thirret në emër të dëshmorëve të cilët kanë sakrifikuar jetën për lirinë e vendit, e në anën tjetër përfitojnë nga këta dëshmorë, siç e kemi rastin e dhimbshëm të keqpërdorimit të njohur të javës së Remzi Ademajt.\"
\"Këta qeveritarë vjedhin në emër të dëshmorëve, vjedhin, e edhe në emër të projekteve madhore dhe kombëtare siç është rasti i rrugës Prizren-Tetovë\", theksoi me tutje ajo.
Më 21 shkurt 2013 ishte marr vendimi në asamble për ndarjen e mjeteve për studimin e fizibilitetit me qëllim të ndërtimit të kësaj rruge.
Po bëhen dy vite, dhe 70,000.00 eurot e ndara për këtë projekt nuk dihen se ku janë avulluar. E përveç të tjerave, edhe për këto para duhet të jep llogari kjo qeverisje!