VV: Qeveria anti-kushtetuese lejon cenimin e sovranitetit në veri
Prishtinë, 30 mars - Në këta muaj që do të jenë përcaktues për Republikën e Kosovës dhe kur populli në masë të madhe e ka kundërshtuar Zajednicën dhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, Qeveria anti-kushtetuese ka mundësuar fushatën e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë thekson se mbajtja e fushatës zgjedhore nga Serbia në veri të Kosovës, e ka cenuar sovranitetin e shtetit dhe ka rrezikuar popullatën shqiptare që banon në atë pjesë.
Mbajtja e fushatës zgjedhore në veri dhe pjesëmarrja e zyrtarëve, siç është rasti i Adriana Hoxhiqit, e tregon edhe më tutje përuljen që kjo qeveri e ka ndaj shtetit serb. Kjo qeveri po i bëhet argat Serbisë, duke e copëtuar kështu Kosovën, dhe duke e legalizuar ndërhyrjen ilegale të Serbisë në Kosovë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos heshtin karshi veprimeve të dëmshme të kësaj qeverie, por të bashkohen dhe të ngrenë deri në largimin e kësaj qeverie.