VV: Porosia e Gazmend Muhaxherit: Shkelni ligjin, jo livadhin
Prishtinë, 25 nëntor - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Pejë ka organizuar sot një aksion përmes të cilit shprehu revoltën ndaj vendimeve dhe qëndrimeve të Kryetarit të Komunës, Gamend Muhaxherit.
Aktivistët e Lëvizjes vendosën sot ligjet e Republikës së Kosovës para objektit të Komunës, aty ku ato janë shkelur. Kjo si reagim ndaj deklaratës skandaloze të Kryetarit Muhaxheri, i cili duke u përgjigjur për krimin ekonomik për të cilin është kapur në flagrancë deklaron, thotë: kem shkel ligjin, nuk kem shkel livadhin.
Kryetari i Komunës do të duhej të ishte shembull i respektimit të ligjeve, dhe jo i shkeljeve të tij. Mirëpo, nëpërmjet vendimeve dhe deklarimeve të tij është konstatuar se:
1. Gazmend Muhaxheri ka autorizuar zyrtarin politik, gjegjësisht nënkryetarin e Komunës, për ndërhyrje direkte ne procedurat e prokurimit si pjesë e komisioneve, duke i shkaktuar Komunës dëme që shkojnë në qindra mijëra euro. Kjo ndërhyrje është në kundërshtim me ligjin për prokurim publik dhe përbën korrupsion;
2. Gazmend Muhaxheri ka treguar një padituri të theksuar ndaj ligjeve të Republikës;
3. Gazmend Muhaxheri publikisht përpiqet të mbulojë shkeljen e ligjeve që ka bërë nëpërmjet metaforave që lidhen me kode kanunore të sistemit feudal.
Përveç akteve korruptive, deklaratat e lëshuara nga Gazmend Muhaxheri tregojnë mendësinë feudale të qeverisjes së Komunës. Ai paranë dhe pronën komunale e trajton si çifligun e tij personal, duke harruar qëllimisht se është shërbyes publik. Ai nuk ka më as turp që të shprehet haptazi, se nuk shqetësohet për respektimin e drejtësisë dhe ligjeve të Republikës, por shqetësohet për kodet e përdorura para një shekulli.
Lëvizja Vetëvendosje! i ka paraqitur këto rast edhe para Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ne do ta kundërshtojmë këtë formë qeverisjeje feudale, deri në çrrënjosjen përfundimtare të saj.