VV: Po na akuzojnë për terrorizëm që të kenë qasje në komunikimet tona
Prishtinë, 5 shtator - Lëvizja Vetëvedosje ka vlerësuar se prokuroria dhe policia po duan ta lidhin Vetëvendosje!-n me terrorizmin edhe pa pasur asnjë provë sepse kështu mund të kenë qasje të plotë në komunikim.
Për ti akuzuar padrejtësisht aktivistët e Lëvizjes dhe për ti quajtur ata terroristë, Policia ka mbajtur dy konferenca për shtyp, disa komunikata dhe ka ekspozuar armë që nuk janë fare të aktivistëve.
Këto dhe fakte të tjera u paraqitën në një konferencë për shtyp nga Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje!, Dardan Molliqaj.
Molliqaj tha se në Kosovë po zhvillohet betejë mes dy grupeve, klanit Pronto që kanë kapur institucionet e varfëruar qytetarët dhe qytetarëve e opozitës. Ai tha që klani Pronto me gjitha veprimet e tij e do shkatërrimin e të vetmes opozitë të mirëfilltë në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje!.
Ai përmendi rastin e të akuzuarit dhe të dënuarit për terrorizëm, serbit Slobodan Gavriq, i cili u kap me 13 kg eksplozivë, por gjithçka rreth këtij rasti kishte kaluar në heshtje.
Ju e dini, këtë vit është arrestuar një qytetar, i cili quhet Slobodan Gavriq, i cili poashu është akuzuar për terrorizëm dhe i është konfiskuar një sasi e madhe eksplozivë, dhe ju e dini se ato kilogramë eksplozivë asnjëherë nuk janë ekspozuar. Vetura me të cilën është arrestuar asnjëherë nuk është ekspozuar. Asnjë konferencë për shtyp nga Policia e Kosovës dhe asnjë veprim të vetëm të kësaj policie për këtë rast, i cili tashmë ka marrë edhe një vendim të gjykatës, ku është shpallur fajtor për rastin, theksoi Molliqaj.
Më tej, ai shtoi se kjo luftë speciale dhe ky krim i organizuar vjen nga lidhja e ngushtë mes klanit Pronto, policisë dhe prokurorisë, si dhe mediave që pushteti i ka nën kontroll. Sekretari Molliqaj poashtu prezantoi fotografi që dëshmojnë për lidhjet e ngushta familjare e partiake mes klanit Pronto dhe punonjësve e zyrtarëve të lartë të këtyre institucioneve.
Ky është Luan Keka, i cili është në Drejtorinë e antiterrorizmit në Policinë e Kosovës, i cili vjen nga Gjilani, dhe i cili ka qenë udhëheqës i aksionit të arrestimit të 6 aktivistëve të Vetëvendosje!-s, të cilët i ka akuzuar për terrorizëm, tha Molliqaj, duke iu referuar njërës prej fotografive, ku ai shihej me gruan Miranda Keka, gazetarin e RTK-së - Asdren Agushin, dhe kryeredaktorin e RTK 3 - Ridvan Berisha.
Gjatë prezantimit të fakteve, u tregua edhe që gruaja e tij, ka qenë kandidate e PDK-së për deputete në zgjedhjet e fundit. Si dhe, u paraqitën fotografi të Ridvan Berishës dhe Asdren Agushit të RTK-së, në ndeja me Shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajazitin.
Molliqaj përmendi edhe rastin e gazetarit të RTK-së, Zejdush Kastrati, i cili në përgjimet e publikuara dëgjohet tek ofendon opozitën dhe thur lavde për Adem Grabovcin dhe PDK-në. Dhe këtu shprehu shqetësimin për heshtjen dhe mosveprimin e Menaxhmentit të RTK-së.
Në fund Molliqaj ftoi mediat dhe organizatat e ndryshme që të shohin më shumë rreth këtyre shkeljeve ndaj Vetëvendosje!-s, që paraqesin rastin më flagrant nga Policia e Kosovës ndaj subjektit tonë.