20 Janar 2025

VV: Një Maji, as festë as protestë

Prishtinë, maj - Një Maji është Dita e Punëtorëve. Në këtë datë përkujtohen betejat për përmirësimin e kushteve të punës, për rritjen e pagave dhe për përmirësimin e gjendjes shoqërore të punëtorëve në të gjithë botën.

Por, protestat dhe manifestimet për Një Majin ka disa vjet që nuk shënohen masivisht prej punëtorëve në Kosovë. Protestat janë të fraksionuara, jeta sindikale është shpesh e zbehtë dhe organizimi punëtor është i kompromentuar prej ndërhyrjeve të një klase politike që e ka dobësuar punëtorinë, e ka përçarë atë dhe jo rrallë ia ka korruptuar sindikatat.

\"Papunësia masive e krijuar në Kosovë është rezultat i drejtpërdrejtë i praktikave neoliberale dhe privatizimeve të pamençme e kriminale të bëra prej qeveritarëve të korruptuar që kanë drejtuar Kosovën në 15 vitet e fundit. Kjo papunësi i prek thuajse të gjitha familjet shqiptare, duke ua cenuar atyre sigurinë ekonomike, shpresën për të ardhmen dhe guximin qytetar. Është vështirë të jesh i papunë e të kujdesesh për mbarëvajtjen e politikave në vendin tënd. Papunësia i redukton njerëzit në qenie që kanë si objektiv gjithnjë e më të rëndësishëm mbijetesën. Për këtë arsye ka shumë pak protesta e manifestime popullore në Një Maj, për këtë arsye edhe Një Maji mbetet i pashënuar\", thuhet në komunikatën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Jo vetëm që nuk ka protestë për Një Maj, por nuk ka as festë. Që të festosh duhet të kesh para, e këto mungojnë në mbi 80% të familjeve shqiptare si dhe në ato të minoriteteve në Kosovë, të cilat jetojnë nën nivelin e varfërisë, sipas statistikave të dhëna nga institucione ndërkombëtare.

\"E vetmja gjë përnjëmend masive që ndodh në këtë Një Maj që s’është as protestë e as festë, është pushimi. Këtë pushim na i ka ofruar qeverisja dhe kuadri ligjor. E njëjta qeverisje dhe kuadër ligjor që nuk ofron as shtet të drejtë dhe as zhvillim ekonomik, kujdeset që të na e bëjë ditë pushimi Një Majin. Dhe pushimi, siç dihet, vlen shumë pak për të papunët\", është thënë në komunikatën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Që t’i kthehet kuptimi, sipas Lëvizja VETËVENDOSJE! Një Majit duhet që të papunët të kthehen në punë.

\"E që kjo të ndodhë, duhet të pushohen nga puna qeveritarët e derimëtashëm, këta shkatërrues të ekonomisë sonë, të shtetit tonë dhe të së drejtës\", thueht në komunikatë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)