VV ngrit akuzë ligjore ndaj Forumit Rinor Musliman
Prishtinë, 7 qershor - Lëvizja Vetëvendosje! sot ka marrë një njoftim në formë deklarate, në emër të Forumit Rinor Musliman.
Kjo deklaratë i është dërguar të gjitha mediave, prej adresës personale të një personi të quajtur Noli Zhitia.
VV vlerëson se kjo deklaratë është e stërmbushur me gjuhë përbuzëse. Në të gjenden ofendime nga më të papranueshmet, për gratë, për qytetarët e Shqipërisë, për fshatarët, për banorët e Krujës, për viktimat e trafikimit, por edhe fyerje personale e familjare për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje!, Alma Lama.
Në këtë deklaratë vijojnë të përsëriten me kokëfortësi fjalë banale të cilat as nuk i takojnë diskutimit publik të cilitdo qytetar, as nuk janë të denja për një besimtar.
\"Mësojmë se Noli Zhitia, përveçse përfaqësues i FRM, është anëtar i kryesisë të subjektit elektoral Lëvizja Islame Bashkohu. Ne nuk duam të besojmë që Lëvizja Bashkohu qëndron pas kësaj deklarate përbuzëse e përçarëse.\"
\"Rrjedhimisht kërkojmë nga ky subjekt që të distancohet nga personi i lartpërmendur si dhe të dënojë qëndrime të tilla\", thekson VV.
\"Ne jemi të përcaktuar për Republikën, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë e trajtohen si të tillë, pavarësisht prejardhjes së tyre, apo përkatësisë religjioze. Po ashtu, ne jemi për lirinë e ushtrimit të besimit fetar, por askush s\'duhet ta përdorë religjionin as për arsye elektorale, as për thirrje përndjekëse\".
Kërcënimet drejtuar Alma Lamës dhe ndaj cilitdo aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje! do të hasin në një kundërpërgjigje qytetare, transparente e të drejtë, dhe nuk do të kenë asnjë sukses.
Lëvizja Vetëvendosje! i ka dalë dhe do t\'i dalë në mbrojtje secilit qytetar dhe secilit aktivist që kërcënohet.
\"Bëjmë me dije përmes këtij reagimi që ndaj personit në fjalë do të ngremë akuzë ligjore, për një sërë dëmesh publike e shkeljesh ligjore që janë shkaktuar me anë të kësaj deklarate\", pohon VV.
Lëvizja Vetëvendosje! është një subjekt politik që në thelb të filozofisë së saj ka uljen e pabarazisë dhe mbërritjen e drejtësisë sociale.
Është për të ardhur keq që organizata apo individë që gjithashtu thirren në vlerat e barazisë dhe drejtësisë sociale nuk i drejtojnë kritikat e tyre kah burimet e pabarazisë dhe padrejtësisë, pra kah Qeveria aktuale dhe sistemi shoqëror e ekonomik i imponuar prej saj.
Pra, në vend se të luftohet padrejtësia dhe pabarazia i sulmojnë dhe përçmojë gratë, të varfrit dhe grupet shoqërore të marxhinalizuara, pikërisht viktimat e kësaj padrejtësie dhe pabarazie.