VV: Ndryshimi i dëshirueshëm dhe i domosdoshëm
Viti, 29 maj - Në tubimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti nga kandidatët për deputetë u tha se qeverisja e ardhshme do të jetë e përgjegjshme dhe e angazhuar për një jetë më të mirë.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti para qytetarëve të shumtë të Vitisë dhe nën duartrokitje e brohortije përkrahëse, tha se ne e kemi edhe mundësinë edhe garancionin për ndryshimin. Ne nuk ia kemi pasur borxh këtë situatë të mjerueshme, por këta politikanë si duket ia kanë pasur me borxh dikujt, e këtë borxh le ta paguajnë. Kurti ka thënë se do të katërfishohen investimet në shëndetësi, kurse arsimi do të jetë pa pagesë. Ndërkaq, ka thënë se me VETËVNDOSJE! në qeverisje, Vitia do të jetë një komunë dhe e pandashme. Këto partitë e tjera nuk dinë të zhvillojnë, dinë veç të bëjnë korrupsion. Zgjedhje e vërtetë është kur qytetarët zgjedhin vetë, kjo zgjedhje është zgjidhja dhe e ka numrin 35″, ka thënë ai.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se vetëm me VETËVENDOSJE!-n në pushtet mund të ketë ndryshim. Ne duhet ta bëjmë shtetin, ta zbusim pabarazinë e ta luftojmë krimin e korrupsionin. Duke thënë se koha është Tash, ai ka shtuar se në shoqërinë tonë ka pabarazi shumë të mëdha dhe kjo është gjendje që duhet ndryshuar. Pak kanë besuar se do të fitojmë në Prishtinë, por Tash është e mundshme se ndryshimi do të bëhet edhe në Viti, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë e në të gjithë Kosovën, ka thënë ai.
Ndërkaq kandidati nga Vitia, Salih Salihu tha se qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka vendosur bujqësinë si prioritet kombëtar. Ai ka shtuar se edhe buxheti për këtë do të rritet. Gjatë tri vjetëve të qeverisjes do të jetë 60 milionë euro në vitin e parë, për tu rritur deri në 120 milionë euro në vitin e tretë. Poashtu, Lëvizja VETËVENDOSJE! parasheh edhe themelimin e një banke agrare.
Ish shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, foli për ndryshimin duke thënë se ky vjen nëse bëhemi bashkë, dhe me numrin 35 e ndalim degradimin dhe e bëjmë Republikën. Qytetarët nuk kanë kohë që të tjerët ta bëjnë milionin e tyre të ri, ose kthesën e tyre të gjatë, por momenti për qytetarët është Tash dhe ndryshimin e bën Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka thënë Ymeri. Sipas tij, Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka tatimet më të drejta dhe politikat e duhura për zhvillim të vendit.Me procesin e privatizimeve e shkatërruan ekonominë e vendit, kurse me politikat fiskale ia hapën rrugën prodhimeve të huaja. Ai ka thënë se Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta rimëkëmbë Trepçën dhe për këtë do ti investojë 300 milionë euro, ka shtuar ai.
Me votimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! qytetarët e Vitisë do të bëhen kontribues e dëshmitarë të ndryshimit.