VV: Muhaxheri kundër qytetarëve dhe Komunës së vet
Prishtinë, 31 mars - Para disa dite, Kuvendi Komunal i Pejës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme ku u diskutua çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përgjatë kësaj mbledhjeje, është formuar një grup nga këshilltarët komunalë që ka dalë me disa konkluzione.
Njëra nga pikat specifikonte se komisioni i themeluar nga Presidentja duhet të marrë në shqyrtim të gjitha faktet dhe dokumentet dhe çështja të trajtohet konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kurse, një pikë tjetër kërkonte që të merren parasysh shqetësimet e qytetarëve. Pra, të qytetarëve, jo të zyrtarëve të Komunës.
Komisioni i Presidentes nuk i përfilli kriteret e kërkuara në konkluzione dhe nuk pati transparencë gjatë punës së komisionit. Habit fakti si është e mundur që Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri del para qytetarëve të Komunës me vlerësimin se Kosova se nuk po humb tokë. Ky është dhe skandal i ri i këtij Kryetari, që del haptas kundër interesave të Komunës, qytetarëve dhe vendit të vet.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë i bën thirrje Kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, që sipas detyrës së tij ti mbrojë interesat e Komunës dhe qytetarëve të kësaj komune, e jo ti shkelë ata për tiu përshtatur pazareve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb mijëra hektarë Kosovës, dhe për këtë është përgjegjëse qeveria antikushtetuese bashkë me eksponentë të tjerë edhe të niveleve lokale që po e mbështesin e po shtyjnë përpara atë marrëveshje.
Qytetarët e Pejës janë të vetëdijshëm për humbjet që po i shkaktohen Pejës dhe Kosovës, andaj nuk do të ndalen së kundërshtuari deri në anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe deri në largimin e kësaj qeverie.