VV: Me hajna ska as komunë, të korruptuarit në burg
Prishtinë, 16 mars - Shumë qytetarë dolën për të protestuar nën sloganin e përgjithshëm Dorëheqja nuk mjafton, për të kërkuar ndaljen e korrupsionit, nepotizmit, kundër ngritjes së tatimeve, ndërhyrjen e kryetarit në tenderë për përfitime personale dhe për të kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie para qytetarëve.
Protestuesit mbanin në duart e tyre pankarta në të cilat shkruheshin: Me hajna, ska as komunë, Të korruptuarit në burg, Ndal ngritjes së tatimeve, Ndal nepotizmit në komunë, e slogane të ngjashme.
Shkodran Ramadani, i diplomuar në shkencat politike dhe njëherazi aktivist i Qendrës në Gjilan, në emër të papunëve të diplomuarve, kritikoi kryetarin e komunës për familjarizmin në punësim dhe punësimin me aftësi, e jo meritokraci.
Në konkurset për punë, ta zëmë në arsim dhe shëndetësi, konkurrojnë persona të kualifikuar, mirëpo këto konkurse shpesh janë të manipuluara nga pushtetarët të cilët nuk ia duan të mirën këtij vendi. Ose thënë më mirë, e duan vetëm të mirën e tyre personale, familjare e klanore.
"Rrjedhimisht, të mirat e tyre personale arrihen në kurriz të qytetarëve. Edhe nëse i plotëson kushtet për të qenë i denjë për vendin e punës, do të dalin persona që do të të pengojnë që ta marrësh atë vend pune, e pastaj do tia japin dikujt tjetër, si për shembull dajallarëve, axhallarëve, militantëve partiakë e të afërmve të tjerë."
"Fatkeqësisht, një shembull të tillë të paligjshëm e të pandershëm, po e jep personi që do të duhej të ishte në shërbim të qytetarëve, më shumë se kushdo tjetër, kryetari i komunës së Gjilanit deklaroi Ramadani, duke kërkuar që urgjentisht të largohet nga puna bashkëshortja e kryetarit të komunës, e cila ditë më parë ishte punësuar paligjshëm dhe pa kritere profesionale.
Ragip Abazi, pensionist, gjatë fjalimit të tij tregoi për gjendjen e papërballueshme të pensionistëve, sidomos pas rritjes së vazhdueshme të detyrimeve tatimore.
Rritja e tatimeve dhe taksave mbi 100 për qind, e jo rritja graduale, apo mbrojtja sociale e kategorive të veçanta të pensionistëve sipas Abazit janë bërë telashe të jetës në Kosovë e Gjilan.
Nuk është vetëm dyfishimi i tatimeve dhe taksave që na bëjnë jetën të papërballueshme, por edhe janë shumë obligime të tjera që dalin nga të jetuarit.
"Ne kemi rritje të çmimeve bazë, ilaçet mjekësore për ti blerë janë shumë shtrenjtë, sigurimi social është jashtëzakonisht i dobët, ndryshimi i disa dokeve e traditave ka ndryshuar edhe perspektivën e kujdesit ndaj më të moshuarve, ndërsa në anën tjetër, ndonëse është dobësuar përkrahja e komunitetit në mënyrë tradicionale dhe familjare, institucionet sociale, publike dhe të shtetit të Kosovës, janë treguar të papërgjegjshme dhe nuk kanë treguar aspak kujdes për të na ndihmuar në lehtësimin e jetës sonë- theksoi Abazi.
Ai ndër të tjerash tha se, si pensionistë kundërshtojmë ashpër politikat e kësaj qeverisjeje lokale në komunë dhe Gjilani është bërë qytet i vështirë për të jetuar, qoftë për të rinj, e veçmas edhe për pensionistë.
E aq më shumë kur shohim kur nga dita në ditë, kur luksi i pushtetarëve po rritet në mënyrë krejt të papërputhshme me mundësitë tona ekonomike, standardi jetësor i qytetarëve jo vetëm se po bie, por edhe po bëhet i papranueshëm përfundoi fjalën Abazi.
Ismajl Kurteshi, kreu i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosj!, foli për keqpërdorimet në buxhetin komunal, ndërhyrjen e kryetarit në tenderë, korrupsionin, ngritjen e tatimeve dhe shpenzimeve në mënyrë të pakontrolluar të zyrtarëve komunalë, e të ngjashme.
Derisa standardi i jetesës të shumicës së qytetarëve, po përkeqësohen, pushtetarët dhe njerëzit rreth tyre po pasurohen, por ama jo nga rrogat e tyre" theksoi Kurteshi.
Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, sipas tij është njëri nga 4 kryetarët më të pasur në Kosovë, ndërkohë numri i të papunësuarve në Gjilan po rritet.
Kurteshi ka thënë se Gjilani që dikur kishte rreth 17.000 të punësuar në industri që prodhonte jo vetëm për nevoja të vendit por edhe për eksport, tani nuk ka ma prodhim, e punëtorët e dikurshëm tani po bredhin rrugëve të pashpresë se ndonjëherë do të kthehen në vendet e tyre të punës sepse fabrikat e tyre janë zëvendësuar në supermarkete dhe kafeteri.
"Përveç papunësisë, partneriteti publiko-privat në Gjilan është shndërruar në partneritet privato-privat. Ndodh të evidentohen si të kryera punët që nuk kanë filluar, ose ato të përfunduarat të paguhen disa herë- deklaroi Kurteshi në fillim të fjalës së tij.
Ai përmendi me shifra shumë keqpërdorime si për cilindrin e stadiumit të qytetit, mirëmbajtjen e objekteve të komunës, keqpërdorimet në trashësinë e asfaltimit rrugor, e të tjera.
Kurteshi qortoi politikat që ngecin zhvillimin e komunës dhe që rëndojnë jetën sociale të qytetarëve.
Lakmia në njërën anë dhe mungesa e përgjegjësisë në anën tjetër ka bërë që ti i rrisin fondet e komunës, për ti plaçkitur më vonë. Por kjo rritje në një vend ku nuk ka zhvillim ekonomik nuk ka si të ndodh ndryshe përveç se me ngritjen e taksave, tatimeve, ngarkesave administrative, qirave etj."
"Këto ngritje tatimesh, çmimesh dhe të tjerat si tatimi në pronë, rryma elektrike, etj. shumë familje i kanë mbështetur për muri pohoi Kurteshi, duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e kreut të komunës dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, por edhe marrjen e drejtësisë me ta.
Protestuesit përgjatë fjalimeve, brohorisnin vazhdimisht parullën: Me hajna, me hajna, nuk ka shtet, duke ia përshtatur herë pas herë edhe nivelit të keqqeverisjes lokale: Me hajna, me hajna, nuk ka komunë.
Pas përfundimit të fjalimeve, të gjithë protestuesit me pankarta në duart e tyre, shkuan në drejtim të objektit të kryetarit të komunës dhe vendosën të gjitha pankartat e shkruara pranë këtij objekti.