02 Maj 2025

VV: Kundërshtarët e dinë se fitorja jonë është e pashmangshme

Prishtinë, 31 maj - Qytetarët e Llapit kanë mirëpritur kryetarin Albin Kurti dhe kandidatët për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë tubimit në Besianë. Kurti gjatë këtij tubimi ka thënë se fitorja e VETËVENDOSJE!-s është e pashmangshme.

“Se fitorja jonë është e nevojshme e dinë ekspertët e VETËVENDOSJE!-s, se fitorja jonë është e domosdoshme e dini ju, se fitorja jonë është e pashmangshme e dinë kundërshtarët tonë”, ka thënë ai. Më tej, ai tha se partitë e tjera e kanë zvogëluar tatimin, duke e rritur haraçin. Kurti ka folur për rëndësinë e prodhimit vendor që i jep VETËVENDOSJE! përmes Alternativës Qeverisëse. Sipas tij, me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, Kosova do të jetë shtet i punës dhe prodhimit, jo i njerëzve që presin në radhë të gjata për viza nëpër ambasada. “Në Dyz të Llapit pas fitores tonë më 8 qershor, qeveritarët nuk do të jenë të burgosur si VIP, por ata do të jenë të barabartë me të tjerët, kurse në bibliotekën e burgut do ta kenë Alternativën Qeverisëse e në CD do ta gjejnë këngën “Amaneti i ....” të grupit Troja”, ka përfunduar Albin Kurti.

Kurse, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka falënderuar qytetarët e Llapit për përkrahjen e dhënë në fitoren e Prishtinës. Ai ka thënë se njerëzit në VETËVENDOSJE! janë ata që e duan shtetin e pastër, të barabartë për të gjithë, pa korrupsion e pa kriminelë. “Qe 14 vite na kanë thënë se sivjet do të bëhet sistemi i sigurimeve shëndetësore, por tash Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për sigurime shëndetësore sipas modelit gjerman. Në qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! asnjë qytetar i vetëm nuk do të mbetet pa sigurime shëndetësore”, ka thënë Ahmeti. Duke folur për shtetin e së drejtës, Ahmeti tha se xhipat u duhen prokurorëve më shumë sesa qeveritarëve dhe qeveria e VETËVENDOSJE!-s do të sigurohet për mbrojtje më të madhe të tyre. Ndërkaq, duke i ftuar qytetarët të votojnë për numrin 35 që mban Lëvizja VETËVENDOSJE! në këto zgjedhje, shtoi se partitë e tjera janë të njëjta në thelb. “E kuptoj që situata është e rëndë, por ajo ka shpresë, e shpresa vjen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka shtuar ai.

Nënkryetarja Aida Dërguti ka folur për hapat integrues drejt bashkimit kombëtar dhe planet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për bashkimin e Mitrovicës. “Meqë jemi i vetmi subjekt që ka Alternativë Qeverisëse mund t’iu them se e kemi paraparë bashkimin e kombit dhe të Mitrovicës”, ka thënë ajo duke shtuar se duhet të luftojmë për bashkimin politik të shqiptarëve, në një shtet që nuk diskriminon.

Ndërkaq kandidati i Besianës Ali Lahu falënderoi qytetarët e Llapit për pjesëmarrje masive dhe tha se ndryshimi mund të vijë me ata që kanë guxim dhe dinjitet, pra më njerëzit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! “Për 15 vite qytetarët e Kosovës u gënjyen e u zhgënjyen nga qeveritarë të ndryshëm, tash është koha t’u kthehet besimi siç u është kthyer shpresa”.

Të pranishmëve iu drejtua edhe kandidatja Nazlie Bala duke thënë se “përderisa ka Lëvizje VETËVENDOSJE! dhe përderisa jemi bashkë me vullnetin e fuqinë që kemi, do t’i shpallim luftë korrupsionit, e do të ndërtojmë shëndetësi të fortë e do të përkujdesemi për mirëqenie”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)