VV: Kosova e Hashimit
Prishtinë, 28 shkurt - Sot deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! ndërmorën një aksion në seancën ku ishte parashikuar raportimi i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç.
Dy deputetët e Vetëvendosje!-s Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca vendosën para foltores së Kuvendin hartën me mbishkrimin Kosova e Hashimit.
Në këtë hartë janë të shenjuara të ashtuquajturat komuna me shumicë serbe të cilat u krijuan si pasojë e Planit të Ahtisarit kompromisit të dhimbshëm, siç e quajnë sot vetë ata që e votuan dhe negociuan për të.
Tani për këto komuna është duke u përgatitur krijimi i Asociacionit të veçantë i cili është hap substancial drejt krijimit të autonomisë për veriun e Kosovës.
Pretendimet që lindin nga ky asociacion nuk ndalen vetëm në komunat e veriut, ato shtrihen dhe më tutje në jug të vendit (shih hartën).
Po ashtu deputetët e Vetëvendosje!-s lëshuan bisedën telefonike midis Kryeministrit Thaçi dhe shefit të grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci e cila në publik njihet si telefonata Pronto.
Kjo për tia kujtuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës se cilët individë janë kanë marrë përsipër të negociojnë për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Pikërisht këta njerëz të cilët po e shesin Kosovën si pasuri publike, janë ata të cilët në negociata me Daçiçin, po e nxjerrin në pazar territorin e Republikës së Kosovës, veriun e vendit tonë.
Më këtë rast Kryeministri ndërpreu fjalimin dhe pas tij drejtuesi i seancës kërkoi pushim.