19 Maj 2024

VV kërkon interpelancë për shkarkimin e ministrit Rexhepi

Prishtinë, 11 mars - Deputeti Rexhep Selimi i mbështetur nga deputetët e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje sot dorëzoi në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për Interpelancë me Ministrin e Punëve të Brendshmë, Bajram Rexhepin.

Kjo kërkesë sipas Vetëvendosjes vjen pas skandaleve të njëpasnjëshme në Ministrinë që drejton Bajram Rexhepi.

Në këtë interpelancë do të kërkohet nga ministri raportim mbi keqpërdorimet në kontratën e pasaportave biometrike me kompaninë austriake, OESD, Raportin e fundit të auditorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tejkalimin e kompetencave të ministrit dhe pushtetit ekzekutiv karshi Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe mosveprimit në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

"Kjo kërkesë u dorëzua pas përpjekjeve të shumta të deputetëve të Vetëvendosje!-s për t’i bashkërenduar qëndrimet me përfaqësuesit e opozitës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe FSK, me të cilët nuk u gjet mirëkuptimi që kjo të ishte iniciativë e këtij komisioni.

Së bashku më kërkesën për interpelancë është dorëzuar dhe teksti i mocionit që do t’i propozohet për votim deputetëve të Kuvendit.

Në të kërkohet shkarkimi i Ministrit Bajram Rexhepi nga të gjitha funksionet si dhe i bëhet thirrje organeve të Prokurorisë që të nisin sa më parë hetimet.

Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenit 44, paragrafi 1, të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, thërret në interpelancë parlamentare, Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi" thuhet ne deklaraten e VV.

Arsyetimi:

1.    Në nëntor të vitit 2012, pas raportimit të mediave u bë e ditur se Ministria e Punëve të Brendshme kishte paguar 1.4 milion Euro në llogarinë e shtetases gjermane Natalie Velija në emër të kontratës me kompaninë austriake Österreichische Staatsdruckerei (OESD), të cilat ajo më pastaj nuk i kishte dërguar tek kompania austriake.  Në prokurori dhe në media znj. Velija deklaroi se ato 1.4 milion ishin të destinuara për zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme si ryshfet për të fituar kontratën.  Ministri Rexhepi kishte tentuar të shfajësoj vetën duke shkarkuar bashkëpunëtorët e vetë më të ngushtë, duke aluduar kështu se ishin ata që morën ryshfetin dhe se ai gjoja nuk paska ditur asgjë.  Duke dëmtuar procesin e prodhimit të pasaportave biometrike, Qeveria ka dëmtuar seriozisht procesin e liberalizimit të vizave me shtetet e Shengenit, ku një prej kushteve kryesore është pikërisht ofrimi i pasaportave biometrike.  Dy muaj pas publikimit të skandalit është shkëputur kontrata me kompaninë austriake.

2.    Kontrata me OESD nuk është skandali i vetëm në të cilin është përfshirë kjo ministri.  Rreth 1 milion euro keqpërdorime në tenderin për municion dhe armatim për Ministrinë dhe policinë. Kjo solli deri tek arrestimi i disa personave. Pasi u zbulua skandali, Ministri Rexhepi tha se ishin ata të cilët e nisën hetimin, natyrisht vetëm pasi u zbulua nga media.

3.    Në Policinë e Kosovës vidhet dhoma e dëshmive, ku vidhen më shumë se 50 kg heroinë, dhe euro në valutë, përfshi këtu edhe një numër dosjesh të ndjeshme. Kjo është vjedhja më e rëndë që është bërë në Kosovë, dhe bëhet në ndërtesën e policisë dhe sot e asaj dite nuk zbulohen kryesit e veprës.

4.    Tenderin për furnizim me targa për automjete Ministria e Punëve të Brendshme ia jep kompanisë që kishte ofertën 300 mijë euro më të lartë se sa ofertuesi i dytë. Tre vite më parë kontrata ju ishte dhënë ofertuesit që e kishte ofertën për 700 mijë euro më të lartë.

5.    Raporti i auditimit dokumenton shkelje pothuajse në çdo tender të vitit 2011, përfshi këtu tenderin për pasaporta, për punimet në qendrën e regjistrimit civil, kontrata për furnizim me ushqim e pije etj. etj.

6.    Në tetor të vitit 2012, Ministri Rexhepi kishte urdhëruar forcat speciale të Policisë së Kosovës ti largojë një numër të deputetëve të Republikës së Kosovës nga oborri i qeverisë duke shkelur kështu Ligjin për të Drejtat dhe Privilegjet e Deputetëve. Një ditë më vonë kishte urdhëruar rrethimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Policia e Kosovës, duke shtyrë kryetarin e Kuvendit ta ndërpresë seancën pas këtij rrethimi.  Ministri Rexhepi ishte arsyetuar se kishte informata të inteligjencës se deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE po përgatisnin aksion, duke aluduar në përgjimin e jashtëligjshëm të tyre.

7.    Pothuajse çdo ditë qytetarët e Republikës së Kosovës në veri janë të rrezikuar nga grupe kriminele dhe ilegale të qeverisë serbe.  Ministri Rexhepi nuk ka ndërmarrë as hapin më të vogël për të siguruar qytetarët e vendit. Përkundrazi ju ka sugjeruar të vizitojnë hoxhallarët për hajmali, në vend se të ofrojë ndihmë dhe mbështetje policore. 

Teksti i mocionit që propozohet për votim

Në bazë të nenit 44, paragrafi 4, pika (d), të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin me rekomandimet në vijim:


1.    Kuvendi kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Bajram Rexhepi nga të gjitha funksionet në Republikën e Kosovës.

2.    Kuvendi fton Prokurorinë e Kosovës për të hetuar skandalet dhe përgjegjësitë ligjore të Ministrit Rexhepi në të gjitha projektet e lartpërmendura me theks të veçantë në kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike.  Kuvendi po ashtu bën thirrje tek prokuroria dhe Agjencioni antikorrupsion për të vlerësuar pasurinë e ministrit Rexhepi dhe deklarimet e tij pranë autoriteteve përkatëse të Republikës së Kosovës.

3.    Komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës (sigurisë dhe ai i inteligjencës) ti raportojnë Kuvendit mbi tejkalimin e kompetencave të pushtetit ekzekutiv në tetor të vitit 2012, dhe përgjimet e jashtëligjshme që qeveria po i bën forcave opozitare në vend.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)