VV kërkon dorëheqjen e Veselit, për t’i hapur rrugë hetimeve
Vetëvendojse konsideron se e gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg.
"Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes", thekson Vetëvendosje.
Vetë Kadri Veseli sipas Vetëvendosjes ka luajtur rolin e naivit dhe ka shtruar pyetjen se pse drejtësia e paska patur për gjashtë vite këtë video dhe nuk e ka hetuar dhe pastaj, ka kërkuar vetting në drejtësi.
"Pra në vend se të flasë për përgjegjësinë e tij në skandalin që po dëmton imazhin e shtetit dhe Republikës së Kosovës ku ai është kryeparlamentar, Veseli e gjuan përgjegjësinë tjetërkah, te sistemi i drejtësisë."
"Pse nuk ka hetuar asnjë prokuror më përpara mbi këtë video? Sepse prokurorët e sistemi i drejtësisë i tuten Kadri Veselit."
"Sepse ky dhe njerëzit e tij, siç dihet nga rasti “pronto”, e kanë vendosur në krye të prokurorisë një njeri që u bindet. Prandaj mjaft me hipokrizi, ku Veseli e shërbëtorët e tij të cilëve po u del kriminaliteti në shesh, bëjnë thirrje për drejtësi e vetting", thekson Vetëvendosje.
Para disa ditësh e patëm shembullin e Austrisë, ku pas publikimit të një videoje, menjëherë dha dorëheqje personi i përfshirë, e njëkohësisht u shpallën zgjedhjet e reja.
Ky është momenti që Kosova të tregojë se dëshiron të ndjekë modelin perëndimor dhe jo atë rus. Kadri Veseli duhet të largohet nga çdo pozitë e pushtet, për t’i hapur udhë hetimeve, sa më shpejt dhe pa bërë rezistencë.
Çdo këmbëngulje e tij për të vazhduar të qëndrojë në pushtet është pengesë e drejtësisë dhe e demokracisë, dhe mbrojtje e krimit të bërë.